Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC),  përmbush detyrat për të përthithur të tjera fonde nga BE, përmes Planit të Rritjes për Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024–2027.

Kjo Agjenci paraqiti pranë Komisionit Evropian ciklin e tretë të raportimit në kuadër të Facilitetit për Reforma dhe Rritje (RGF).

Në këtë cikël, Shqipëria do duhej të ndërmerrte masa reformuese të reja me afat qershor-dhjetor 2026, që lidhen me fushat e mjedisit, përmirësimit të klimës së biznesit, të arsimit profesional, digjitalizimit të shërbimeve publike, energjisë dhe shtetit të së drejtës.

SASPAC njofton se këto masa janë realizuar në masën 100% për qershorin, madje janë përmbushur përpara kohe edhe 4 hapa të parashikuar për dhjetorin.

Vlerësimi i këtyre masave nga Komisioni Evropian do të mundësojë disbursimin e deri në 215.4 milionë euro nga të cilat 100.2 milionë euro drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ndërsa rreth 115.2 milionë euro do të kanalizohen përmes platformës financiare të krijuar nga BE, ËBIF-, për financimin e investimeve strategjike në vend.

Eridana Çano, Drejtoreshë e SASPAC, siç bën të ditur zyra e shtypit, thotë se "paraqitja e ciklit të tretë të raportimit dëshmon angazhimin e qëndrueshëm dhe të përshpejtuar të Shqipërisë ndaj Agjendës së Reformave dhe rrugëtimit evropian. Çdo masë e raportuar është rezultat i punës ndërinstitucionale dhe i vullnetit për të ofruar rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset shqiptare."

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në maj 2024, i ofron Shqipërisë mundësinë të përfitojë deri në 922 milionë euro në grante dhe hua, të kushtëzuara drejtpërdrejt nga zbatimi i masave në Agjendën e Reformave.