Shqipëria renditet mes vendeve që kanë bërë përparimin më të madh në zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe deri tani ka përfituar 212.8 milionë euro nga fondet e këtij programi.
Sipas një analize të publikuar nga WeBalkans, vendi ynë, së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, kryeson rajonin për ritmin e reformave, ndërsa qytetarët kanë nisur të përfitojnë nga investimet e financuara nga Bashkimi Europian.
Sipas Komisionit Europian, që nga nisja e programit në maj 2024 janë disbursuar 673.6 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka përfituar deri tani shumën më të lartë, 212.8 milionë euro, e ndjekur nga Serbia me 167.5 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 142.1 milionë euro, Mali i Zi me 91.2 milionë euro dhe Kosova me 61.8 milionë euro. Bosnjë-Hercegovina nuk ka marrë ende asnjë pagesë.
Një zëdhënës i Komisionit Europian tha se që nga nisja e Planit të Rritjes, programi ka sjellë përfitime konkrete për rajonin dhe qytetarët.
"Që nga maji i vitit 2024, Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor ka sjellë përfitime konkrete për rajonin dhe qytetarët e tij. Me mbështetjen tonë, partnerët po zbatojnë reforma kyçe që hapin rrugën për integrimin e tyre në Bashkimin Europian. Deri tani janë miratuar gjashtë Axhenda Reformash, pesë partnerë kanë marrë parafinancimin – me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës – ndërsa katër vende kanë raportuar zyrtarisht për zbatimin e reformave, përveç Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Ne jemi të gatshëm të mbështesim përshpejtimin e reformave që ende nuk kanë përfunduar, në mënyrë që të gjithë partnerët të përmbushin angazhimet brenda afatit shtesë të dhënë", tha zëdhënësi.
Sipas analizës, Shqipëria është ndër vendet ku rezultatet e para të Planit të Rritjes po bëhen të dukshme. Fondet po përdoren për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, zgjerimin e internetit broadband, përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe pajisjen e shkollave me pajisje digjitale.
Raporti përmend gjithashtu digjitalizimin e një pjese të shërbimeve publike dhe thjeshtimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve, duke reduktuar dokumentacionin e nevojshëm.
Komisioni Europian thekson se përfitimi i fondeve lidhet drejtpërdrejt me ritmin e reformave dhe u bën thirrje vendeve të rajonit të mos ngadalësojnë zbatimin e tyre.
"U bëjmë thirrje partnerëve tanë të intensifikojnë përpjekjet, në mënyrë që reformat të zbatohen në kohë përpara periudhave të ardhshme të raportimit. Nëse afati i qershorit 2026 nuk respektohet, të gjithë partnerët, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, rrezikojnë të humbasin së bashku mbi 333 milionë euro. Për Bosnjë-Hercegovinën, afati i shtyrë përfundon në dhjetor", shtoi zëdhënësi i Komisionit.
Sipas WeBalkans, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë vendet që kanë avancuar më shumë në zbatimin e Planit të Rritjes. Në krahun tjetër, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova mbeten pas, ndërsa Serbia ka ecur më ngadalë kryesisht për shkak të faktorëve të brendshëm.
Në Maqedoninë e Veriut, progresi lidhet me rritjen e transparencës buxhetore, përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe përafrimin e sektorit të energjisë me legjislacionin e Bashkimit Europian. Në Mal të Zi raportohen përmirësime në administrimin e kadastrës, investime në eficiencën e energjisë, mbështetje për shkencën dhe inovacionin, si edhe masa në sistemin e drejtësisë dhe mbrojtjen sociale. Serbia ka hyrë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), po modernizon rrjetin energjetik dhe po punon për rritjen e transparencës së ndërmarrjeve shtetërore, ndërsa Kosova ka nisur zbatimin e reformave dhe miratimin e legjislacionit të ri pas miratimit të Axhendës së Reformave.
Komisioni Europian sqaron se vendet partnere paraqesin dy herë në vit raporte për progresin dhe kërkesat për pagesa, të cilat vlerësohen nga Brukseli për të verifikuar nëse janë përmbushur kushtet e përcaktuara në vendimet zbatuese të Komisionit.
Në total, Shqipërisë i janë parashikuar 922.1 milionë euro nga Plani i Rritjes. Bosnjë-Hercegovinës i ishin parashikuar fillimisht 1.085 miliardë euro, Kosovës 882.6 milionë euro, Malit të Zi 383.5 milionë euro, Maqedonisë së Veriut 750.4 milionë euro, ndërsa Serbisë 1.586 miliardë euro. Megjithatë, fondi për Bosnjë-Hercegovinën është ulur me 10%, në 976.6 milionë euro, pasi ishte vendi i fundit në rajon që finalizoi Axhendën e Reformave.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është paketa më e madhe financiare e Bashkimit Europian për rajonin, me një vlerë totale prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 4 miliardë euro janë kredi me kushte të favorshme dhe 2 miliardë euro grante.
Komisioni Europian thekson se të gjitha projektet e financuara nga ky program duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe nuk do të ketë shtyrje të afateve. Vendet që nuk përmbushin angazhimet do të humbasin fondet e parashikuara, të cilat do t'u rialokohen vendeve të tjera të rajonit që avancojnë më shpejt me reformat.











Komente
Komento