Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pretendon se Rusia po ndan me Iranin imazhe satelitore të bazave ushtarake amerikane në shtetet e Gjirit, duke paralajmëruar për një mbështetje të re të Moskës ndaj Teheranit.
Në një postim në rrjetin social X, Zelensky tha se që nga fillimi i korrikut është regjistruar një vëzhgim intensiv satelitor rus mbi shtetet e Gjirit dhe objektet ushtarake amerikane në rajon.
“Sipas informacioneve që kemi, këto imazhe më pas përfundojnë në Iran. Ekziston një lidhje e qartë mes imazheve satelitore ruse të këtyre objekteve dhe sulmeve iraniane, si para sulmeve, gjatë përgatitjes së tyre, ashtu edhe pas tyre për të vlerësuar dëmet”, shkroi ai.
Sipas Zelenskyt, më 19 dhe 20 korrik, katër baza ajrore hynë në objektivin e satelitëve rusë, dy në Bahrein, një në Jordani dhe një në Kuvajt.
Presidenti ukrainas njoftoi se do t'u kërkojë shërbimeve të inteligjencës të ndajnë me partnerët ndërkombëtarë informacionet që disponon Kievi për këtë çështje.
Në të njëjtin reagim, Zelensky deklaroi se Rusia synon të marrë edhe 30 mijë ushtarë të tjerë nga Koreja e Veriut dhe se Pheniani po përgatit transferimin e lëshuesve të tjerë për raketa balistike drejt Moskës. Sipas tij, ky zhvillim përbën kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet e tjera në Azi që ndodhen brenda rrezes së raketave koreano-veriore.
Në fund, Zelensky paralajmëroi se sulmet ruse vazhdojnë të rrezikojnë bizneset bujqësore dhe impiantet e prodhimit të bukës në Ukrainë.
Komente










