Ndërtimi i një resorti luksoz në Zvërnec nga dy investitorë nga Katari dhe protestat e qytetarëve kundër këtij projekti në Shqipëri, janë bërë pjesë e një narrative propagandistike greke e ruse në rrjete sociale. E njëjta ndodhi ka përfshirë dhe projektin e Jared Kushner dhe Ivanka Trump në ishullin e Sazanit.
Në platformën ‘X’, një influencer me emrin JOKAQARMY1, i njohur për shpërndarjen e propagandës ruse, nëpërmjet një video, thotë se kryeministri Edi Rama ia ka shitur ishullin e Sazanit dhe bregdetin e Vlorës Izraelit. Investimet në Sazan, influenceri i lidh me skandalet që kanë ‘gjëmuar’ Donald Trump që në mandatin e tij të parë, duke thënë se dhëndri i tij, Jared Kushner, do të ndërtojë atje “ishullin Jeffrey Epstein”.
“Nuk mund t’i shpikësh këto gjëra. Dua të them, ishulli i Jeffrey Epstein-it, kjo është ajo që po ndërtojnë atje në Ishullin e Sazanit. Të gjithë shqiptarët në mbarë botën po flasin për këtë, sepse ne nuk duam që, në thelb, të përfundojmë si Palestina, apo jo? Izraeli thjesht do të vazhdojë të lëvizë, të blejë gjithnjë e më shumë tokë.
Tani është interesante, sepse nuk po e bëjnë përmes luftës. Po e bëjnë përmes pasurive të paluajtshme. Shumë interesante, apo jo? Paratë do të jenë plumbat e rinj në këtë pikë, apo jo? Sidomos nëse njerëzit nuk bëjnë asgjë për ta ndaluar. Ata do ta marrin ishullin”, thotë ndër të tjera ai.
Jared Kushners Island ? for the Parasites pic.twitter.com/ggvr2vE23v
— mrredpillz jokaqarmy (@JOKAQARMY1) June 3, 2026
E njëjta narrativë ekstremiste është publikuar dhe një profil ku shkruhet se Kushner dhe miku i tij Nat Rothschild e blenë ishullin grek për ta kthyer në atë të Epstein.
“Në fund, dhëndri i Trumpit, Kushner, së bashku me mikun e tij Nat Rothschild, e blenë ishullin grek Sason për ta shndërruar në një ishull të ri Epstein?”, thuhet në postim.

Të tjera narrativa online, e lidhin Sazanin me narrativën e vjetër nacionaliste të Vorio Epirit. Në rrjetin ‘X’, një influencer me emrin Trikalinos shkruan se Zvërneci është “një fshat i mrekullueshëm grek në rajonin e Vlorës”, ndërsa pretendon se qeveria shqiptare dhe familja Trump “po marrin shtëpitë e vorioepirotëve” në zonë duke ndërtuar mbi “varret e grekëve të vrarë”.
“Ishulli i Sazanit është ishulli grek i njohur si Sason, i njohur që nga lashtësia dhe i banuar nga grekë që prej vitit 1000 p.e.s. Në vitin 1914, ushtarë shqiptarë shkuan në ishull dhe masakruan 100 banorë grekë, burra, gra dhe fëmijë. Le ta ndërtojë Kushner hotelet mbi varret e grekëve të vrarë”, shkruhet mbi foton e ishullit të Sazanit.

Të tjera postime e cilësojnë Zvërnecin si një fshat grek i pozicionuar në rajonin e Vlorës dhe se Rama së bashku me Trump po i marrin shtëpinë banorëve të Epirit të Veriut.
“Svernitsa është një fshat grek jashtëzakonisht i bukur në rajonin e Vlorës. Qeveria shqiptare, së bashku me familjen Trump, po ua merr shtëpitë banorëve të Epirit të Veriut në këtë zonë. Qeveria, sigurisht, po bën sikur nuk sheh, duke reaguar vetëm në mënyrë të vakët”, thuhet në postim.
.jpeg)
Të gjitha këto pretendime online, ku thuhet se Zvërneci është një zonë “greke” ku po cenohen pronat e “vorioepirotëve” dhe se Sazani është një ishull “grek” i përvetësuar historikisht nga Shqipëria, janë totalisht të pabaza e asgjë më shumë sesa narrativa nacionaliste greke apo ruse. Ndërkohë kryeministri Rama i ka mëshuar faktit se Greqia po ‘kurdis’ protestat në Tiranë për shkak të xhelozisë së investimeve në Shqipëri.
Komente











