Schadenfreude

Schadenfreude

Nje ilustrim i lehte i Schadenfreude

Studiues, universitete, gazetarë, sociologë po reflektojnë mbi një fenomen që është bërë më i dukshëm, më i afërt, më i prekshëm me lulëzimin e rrjeteve sociale: Schadenfreude, është një term gjerman që shpjegon ekzaktësisht “gëzimin ndaj fatkeqësive të tjetrit”. Në një artikull të publikuar nga gazetari Daryl Austin me 2 gusht 2023 në National Geographic, citohen studime të universiteteve prestigjoze, filozofë e sociologë dhe hidhet dritë pikërisht mbi një fenomen shqetësues siç është mungesa e empatisë njerëzore, që ka prekur masa të gjëra të popujve në botë.

Shkrimi nis kështu:

“Kur një menaxhere arti në Manhatan nisi të tregojë interes për artin e Paul Wiener, ai mendoi se më në fund karriera e tij ishte në një pikë kthese. Kur galeristja me influencë e zbuloi në Instagram, artisti po kalonte një periudhë të vështirë dhe po mbijetonte me vështirësi në Brooklyn. “Në fillim mendova se ishte e interesuar për punimet e mia”, tregon Wiener, “por nuk kaloi shumë dhe qëllimet e saj po bëheshin të dukshme”. Shumë shpejt, pasi kishin nisur të bisedonin, vëmendja e menaxheres ishte spostuar nga arti i tij, në faktin se ai nuk kishte mundësi as të blinte bojërat apo të paguangte dentistin. “Po i pëlqente varfëria ime”, vazhdon Wiener, “donte sa më shumë histori mbi vështirësitë e mia”.

Edhe pse në atë kohë nuk e kishte idenë se si quhej, Wiener ishte viktimë e të ashtuquajturës Schadenfreude, një fjalë në gjermanisht përshkruan ndjenjën me të cilën provohet gëzim për fatkeqësitë e të tjerëve.

Nuk është një ndjenjë e re. Për shembull një thënie japoneze “Fatkeqësitë e tjetrit kanë shijen e mjaltit”, është shumë e vjetër dhe filozofi Friedrich Nietzsche në shekullin e XIX pohoi se “Të shohësh të tjerët të vuajnë, të bën mirë”. Sipas kërkuesve shkencorë të universiteteve John Hopkins, Columbia, Berkeley Haas dhe Harvard, në ditët e sotme ekzistojnë tre faktorë që e shkaktojnë këtë emocion, me më shumë frekuencë, në masa të gjëra të popullatës. Mes këtyre: mbiprodhimi i punonjësve elitarë, reagimet personale ndaj pandemisë, përdorimi i shfrenuar i social mediave.

Schadenfreude ekziston prej kohësh, por zmadhohet apo zvogëlohet sipas mbizotërimit të emocioneve që e nxisin tek njerëzit”, pohon Silvia Montiglio, pedagoge në John Hopkins dhe studiuese e Schadenfreude.

Këto emocione shpesh kanë rrënjë në një ndjenjë padrejtësie, superioriteti moral, zili apo koncepti që dikush “e meriton” atë që i bie në kokë, shpjegon Montiglio. Kështu ndodh që na vjen mirë kur kolegu që na rezulton antipatik, kritikohet nga shefi, apo kur një makinë luksi që na parakalon me shpejtësi të madhe të ndalohet nga policia. U bë fjalë për Schadenfreude, edhe kur një pjesë e madhe e njerëzve nënqeshi apo bëri meme pa fund kur u zhduk nëndetësja Titan muajin e kaluar, para se të merrnin vesh se pasagjerët e pasur në të vdiqën. “Prej kohësh hierarkitë sociale krijojnë terren për Schadenfreude”, thotë Montiglio.

Pak pozicione të përshtatshme për punonjës të kualifikuar

Një studim i publikuar kohët e fundit tregon se krahasimi me “kë është më mirë”,  shpesh mes të pasurve dhe të varfërve, ndikon për të gjeneruar Schadenfreude. Por ndodh që këtë emocion e provojnë edhe personat e të njëjtit rrang social. Në një artikull të publikuar në The Atlantik, Peter Turchin, kërkues shkencor në universitetin e Oxfordit e përcaktoi së fundmi “mbiprodhimin e punonjësve elitarë” si një fenomen që ndodh “kur një shoqëri prodhon tepër persona super-të pasura dhe të kualifikuara dhe pak vende pune të përshtashme për ambicjet e tyre”. Kërkuesi shkencor pohon se ky është një nga dy fenomenet që ka çuar më shumë se një shoqëri në kolaps përgjatë historisë, dhe pohon gjithashtu se kjo dinamikë po riparaqitet dhe në kohët tona.

Montiglio bie dakord me faktin se Schadenfreude është më e përhapur në kohët tona dhe e përshkruan tregun aktual të punës së avancuar si më konkurruesin krahasuar me më parë. Profesoresha thotë se kjo gjë bën që kush është pjesë e këtij tregu, në vetvete gëzohet kur ndonjë koleg skartohet për një pozicion apo një promocion, pasi kjo do të thotë që rriten mundësitë e tij për të ecur përpara.

Reagime të ndryshme ndaj pandemisë globale

Përveç kërkesave të larta për një numër të kufizuar pozicionesh pune, një tjetër arsye për të cilën Schadenfreude perceptohet më shumë, është pandemia. “Pandemia krijoi një furtunë perfekte superioriteti moral, sjellje mburrjeje dhe një sëmundje që shkaktoi dëme dhe fatkeqësi të rënda”, pohon Montiglio. Në fakt, është e mundur që Schadenfreude, të jetë në bazën e pjesës më të madhe të talljeve apo të stigmës botërore ndaj kujt nuk u vaksinua dhe u sëmur, ose ndaj kujt e beri vaksinën, por u sëmur gjithësesi.

Julia Garcia, nënë e dy fëmijëve në San Jose, në Kaliforni, i përjetoi personalisht këto ndjenja kur kushëriri i saj u sëmur me koronavirus. “U tregua kaq arrogant në Facebook duke shkruar se nuk kishte nevojë për vaksinën”, tregon. “U tall me anëtarët e familjes tonë që kishin bërë vaksinën dhe thonte se gjithë historia e virusit ishte zmadhuar nga mediat”. “Kur u sëmur, në një farë mënyre më erdhi mirë”, shpjegon Garcia, “Vetëm kur u sëmur rëndë dhe përfundoi në spital, u pendova për atë reagim”. Përtej pandemisë, Garcia reflekton dhe në hapsirën ku mesa duket ushqehet Schadenfreude: Social mediat.

Social mediat dhe Schadenfreude

Colin Leach, psikolog i Universitetit Columbia dhe autor i studimeve mbi Schadenfreude, thotë se kënaqësia e Schadenfreude shtohet kur kjo ndjehet ndaj personave që nuk na pëlqejnë dhe thotë se social mediat favorizojnë shprehjen e këtyre emocioneve.

Social mediat janë edhe vendi ku bëhen krahasime dhe lulëzojnë zilitë. “Zilia është ajo që ushqen Schadenfreude më shumë se çdo emocion tjetër”, pohon Montiglio. Ndërkohë njerëzit lexojnë lajme dhe informohen në social media dhe është pikërisht aty, ku siç tregojnë shumë studime, që shumë vetë mësojnë për fatkeqësitë e ndokujt, qoftë për ndonjë falimentim të ndonjë personi të famshëm apo divorcin e komshinjve.

Ndonjëherë Schadenfreude përdoret në social media për të manipuluar ideologjinë e përdoruesve, shpesh në fushën politike. “Të provokojmë liberalët”, është një slogan (i përdorur nga disa konservatorë në Shtetet e Bashkuara) konceptuar pikërisht për të shkaktuar Schadenfreude”, pohon Susanna Siegel, pedagoge e filozofisë në Universitetin e Harvardit.

Përpjekjet politike për të instrumentalizuar Schadenfreude dhe për të shfrytëzuar ideologjitë në këtë mënyrë shpesh janë efikase, sepse është pikërisht kjo ndjenjë që jep më shumë kënaqësi kur sheh dikë të rreshtimit tjetër politik të falimentojë, sesa skuadrën e vet të ketë sukses. “Janë verifikuar fenomene të këtij lloji gjatë zgjedhjeve të vitit 2020”, pohon Sa-kiera Hudson asistente pedagoge në Universitetin Berkeley Haas të Kalifornisë, e cila ka publikuar një studim që mbështet këtë teori. “Njerëzit mund të ndjehen më të motivuar nga mundësia për të dëmtuar kundërshtarët e tyre sesa nga ajo për të ndihmuar aleatët e vet”, shpjegon.

Mos lejo që Schadenfreude të marrë udhë

Schadenfreude nuk ka ndikim vetëm ndarjen në rritje brenda shoqërisë, në të shumtën e rasteve dëmton vetë atë që provon këtë ndjenjë. Filozofi gjerman Arthur Schopehauer, një herë e përkufizoi Schadenfreude “Një shenjë dalluese e një zemre komplet të keqe”; edhe pse ky përkufizim mund të na duket i ekzagjeruar, - ngaqë të gjithë e provojmë këtë ndjenjë në një farë mase herë pas here - , Schadenfreude nuk është një virtyt.

“Thellë, thellë Schadenfreude është një pakujdesi ndaj njerëzores tek tjetri”, pohon Leach. Një mënyrë për ta kuruar është ajo e vendosjes në lëkurën e tjetrit. “Reagimi më mirëdashës ndaj fatkeqësive të tjetrit është simpatia që lind nga empatia”, shpjegon Leach. Hudson bie dakord dhe këshillon të shmanget çdo person apo vend që instumentalizon emocionet, që nxit krahasimet sociale apo që propozon një vizion të bazuar në kontrastet dhe ndryshimet.

“Kultivoni një atmosferë ku të gjithë të kenë përfitime, dhe ku Schadenfreude do të ketë më pak mundësi për të ngjitur”, pohon. Për njerëzit që e vënë re se po ndjejnë Schadenfreude dhe duan të çlirohen prej saj, Leach sygjeron se ky emocion shkaktohet nga një parehati personale, “pra është e dobishme të ndajmë ndjenjat që provojmë për veten nga ato që ndjejmë për fatin e të tjerëve”, shpjegon, duke këshilluar që të vihet në diskutim çdo bindje personale se ai person i goditur nga fatkeqësia “e ka merituar” apo “e kërkoi vetë”. “Para se të pohojmë që një fatkeqësi është e drejtë, duhet të jemi të sigurtë nëse është në të vërtetë e tillë, dhe jo vetëm për një kënaqësi cinike tonën për problemet e dikujt”, pohon Leach.

E nëse këto hapa janë vërtetë të vështirë, të paktën të mbahet për vete lumturia për fatkeqësinë e dikujt. “Nëse ndjeheni në konflikt me Schadenfreude tuaj, është një shenjë e mirë. Celebrimi i pamatë i dhimbjes së tjetrit, është çka përcaktohet si nivel mizorie”.

Përfundon kështu artikulli i prestigjozes National Geographic, duke lënë të hapur edhe pë ne në Shqipëri, si pjesë të së tërës globale, të bëjmë analizat tona sa here biem në Schadenfreude dhe rrjedhimisht, a biem në mizori?

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja