Deklarata pas ndeshjes me Danimarkën e Bastian Shweinsteigerit se ai ndihej i lodhur deri në sfilitje, pas tre ndeshjeve të para të Evropianit, nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat gjermane. Miliona telespektatorë që shikonin zv/kapitenin drejtpërdrejt në një prononcim për televizionin “ARD”, pas fitores me kombëtaren nordike, mbetën të shokuar nga ajo që tha mesfushori i Bayern Munich.

“Ne jemi të kënaqur që arritëm ta mbyllin fazën e grupeve me 9 pikë të plota. Jemi e vetmja skuadër që e përfundoi kualifikimin në grup me 3 fitore. Por, personalisht unë ndihem shumë i lodhur. Jam i sfilitur, nuk mund të eci dot më”, ishin fjalët e 27- vjeçarit.

I habitur nga një përgjigje e tillë, të cilën nuk e priste aspak, mbeti dhe gazetari që i drejtonte mikrofonin, Ditmar Baters. “Unë prisja pak më shumë eufori Bastian”, tha ai. Shweini u përpoq të korrigjohej duke shtuar se ai ndihej i lodhur dhe kjo ishte diçka normale pas tre ndeshjeve me intensitet të lartë.

Gjithsesi, një deklaratë e tillë është nënkuptuar si një kritikë e skemave të trajnerit Löw, të cilat e kanë rritur ngarkesën fizike të mesfushorit dhe hapësirat që atij i duhet të mbulojë gjatë 90 minutave. Por, ylli i kombëtares gjermane ka shigjetuar indirekt edhe shokët e skuadrës, veçanërisht Khedira, i cili nuk i ka mbushur hapësirat ashtu siç ishin udhëzimet e trajnerit.(rb/shqiptarja.com)