'S'e mora kot të majtën të bardhë e të djathtën të zezë', Rama mesazh me atletet: Sfida ime të bashkojmë forcat kundër atyre që duan të na përçajnë

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në një takim me të rinj në Laprakë, Tiranë, tha se sfida e tij më e madhe është "bashkimi i forcave të jashtëzakonshme kundër atyre që janë bashkë për të na mbajtur të përçarë".

Ai dhe një mesazh me një palë atlete që mori dhuratë nga një sipërmarrës shqiptar, ku jo rastësisht kishte zgjedhur të majtën në ngjyrë të bardhë dhe të djathtën në ngjyrë të zezë, por për të treguar domosdoshmërinë për të ecur sëbashku, pavarësisht bindjeve politike

Sipas Ramës, opozita është bashkuar vetëm për të thënë se gjatë 8 viteve të qeverisë së tij në pushtet, gjithçka ka shkuar më keq.

"Nuk mora të majtën dhe të djathtën e bardhë, mora të majtën e bardhë dhe të djathtën e zezë, për të thënë që për të vrapuar duhen të dyja këmbët, për të shkuar më lart duhen të dyja këmbët, për mua sfida e madhe është që të bashkojmë forcat e jashtëzakonshme të njerëzve të zakonshëm, jo vetëm kundër të gjithëve siç thuhet, por vetëm kundër atyre që janë bashkë për të na mbajtur të përçarë, vetëm kundër atyre që janë bashkë për të thënë se në këtë vend gjithçka ka shkuar më keq se 8 vite më parë, ndërkohë që nëse ky vend sot është ngjitur deri në një pikë dhe ka shansin të ngjitet shumë më lart, do ndodhë sepse ne nuk jemi vetëm, por të bashkuar me ata që pavarësisht bindjeve të tyre politike, kanë një besim se jeta e tyre mund të behët më e mirë këtu duke punuar", tha Rama.

Po ashtu, Rama nuk la pa shigjetuar edhe PD-në, për të cilën u shpreh se kur ata janë në pushtet "e kthejnë Shqipërinë në plaçkë e qytetarët në mish për top".

Një apel kryeministri e pati dhe për të rinjtë, të cilëve u tha që të mos largohen nga vendi të nxitur nga luksi që shohin nëpër rrjetet sociale, duke shtuar se qëllimi i tij nuk është t'i pengojë të rinjtë të largohen, por nëse do të duan të ikin të jenë të "armatosur" me një zanat.    

VIDEO/Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:51
Rama në kantierin e Kampusit të Universitetit Bujqësor pas tërmetit: 8 godina të reja për 2200 studentë! E gjithë Shqipëria një kantier ndërtimi (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishte sot i pranishëm në Kamëz, nga ku pa nga afër punimet në kantierin e Kampusit të Universitetit Bujqësor, pas tërmetit.

Rama tha se po ndërtohen 8 godina të reja për 2200 studentë, të cilët do të jetojnë në kushte optimale si në konviktet më cilësore në Europë.

Sipas Ramës, e gjithë Shqipëria është kthyer në një kantier ndërtimi, me projektet që vijojnë.

"Ky kantier është si Shqipëria sot dhe ne duam që të përfundojë dhe pyetja në 25 prill është: Do vazhdojmë ta çojmë deri ën fund, apo do ndalemi dhe do kthehemi mbrapa? Ky nuk është një kantier ku sot mund të vijnë të gjithë e të banojnë të lumtur, por është një kantier që preket qartësisht që e ardhmja është këtu dhe e ardhmja po ndërtohet këtu", tha Rama.

 

Ora 13:39
Veliaj: Fusha e Laprakës nga një hapësirë e zaptuar u bë bizhu për Tiranën! Karta e studentit me 1 000 shërbime (VIDEO)

Drejtuesi politik për PS-në në Tiranë, Erion Veliaj tha se qeveria ka çliruar hapësira që më parë ishin zaptuar dhe dhënë për ndërtim pallatesh nga Lulzim Basha, siç është rasti i fushës në Laprakë.

Veliaj foli edhe për kartën e studentit ku tha se sot ajo ofron 1 000 shërbime.

“Faleminderit që keni ardhur në një hapësirë, që e gjetëm shesh ndërtimi për pallat, por me këmbënguljen e komunitetit të Laprakës e kthyem ashtu siç ishte, në një fushë të bukur, dinjitoze, të gjelbër, për Laprakën. Kjo është diferenca mes atyre që e kishin mundësinë ta bënin Tiranën dhe nuk e bënë dot. Gjithashtu, janë ngritur në këmbë karabinatë e 8 konvikteve të reja tek Universiteti Bujqësor, atje ku ata me dy gishtat përpjetë, “Liri, demokraci”, zaptonin e shfrytëzonin partinë si licencë për të zaptuar konvikte. Çliruam edhe konviktet tek Inxhinieria dhe te Mjekësia, ku sapo kanë mbaruar dy godinat e para”, u tha Veliaj të rinjve.

Ora 13:28
'Shohin bashkëmoshatarët me Benz dhe ikin e përfundojnë në shtëpi bari', Rama apel të rinjve: Nëse do të doni të ikni, të jeni të 'armatosur' me një zanat (VIDEO)

I pranishëm në Tiranë, në një bashkëbisedim me të rinjtë, kryeministri Edi Rama, i bëri apel këtyre të fundit që të mos largohen nga vendi, të nxitur nga luksi që shohin në Instagram.

Ai tha se shumë prej tyre nisen jashtë pasi shohin bashkëmoshatarët me "Benz", por më pas përfundojnë në shtëpi bari dhe trajtohen si skllevër. Sipas Ramës, qëllimi i tij nuk është të pengojë të rinjtë të ikin, por të zgjedhin dhe nëse do të duan të largohen nga vendi, të jenë të "armatosur" me një zanat.

"Sot shumë të rinë shikojnë në Instagram bashkëmoshatar me Benz, avion privat e vila dhe e duan atë që shohin menjëherë edhe nisen, ikin, është shumë  e dhimbshme, kur një i ri largohet dhe ndërkohë nuk e ka as zanatin për të përballuar jetën atje, as përgatitjen për t'u përballur me çfarë e pret atje dhe bien pre e atyre që i marrin të rinjtë e i fusin në shtëpitë e barit në Holandë, i trajtojnë si skllevër. Unë nuk dua që të rinjtë të mos ikin, por të zgjedhin dhe nëse vendosin të ikin, të jenë të armatosur me një zanat dhe atje të jenë shqiptarët që dinë të ofrojnë një shërbim dhe jo ata që bien pre e lloj-lloj duarve të zeza dhe i nxihet jeta, por për të bërë këtë duhet shumë kohë dhe shumë punë", u shpreh Rama.  

Ora 13:14
Rama: Rruga jonë e gjatë, por na çon në maja! PD e kthen Shqipërinë në plaçkë e qytetarët në mish për top

1618139336_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama tha se ky vend do të bëhet me hapa të sigurt edhe pse rruga do të jetë më e gjatë, por që në fund do sigurojë atë që duhet për një jetë dhe shtet më të mirë. Ai tha se shqiptarët i ranë shkurt në kohën e Haxhi Qamilit apo Sudes, por që u ra më gjatë. Ndërsa rikthimin e vendit në dorë të PD-së, Rama tha se do e trajtojë vendin si plaçkë dhe shqiptarët si mish për top.

"Jam këtu për tu thënë se kjo botë është e atyre që dhe kur rrëzohesh ringrihen dhe vazhdojnë të ngjitën. Kjo botë nuk ka qenë kurrë e atyre që gjejnë rrugën më të shkurt, si na mëson populli "rruga e shkurtër të nxjerr më gjatë". Shqiptarët e provuan se kur donin ti binin shkurt me Haxhi Qamilin apo me Suden i ra më gjatë. Kjo që ofrojmë ne është rruga e gjatë, por është ajo që na çon në majë. Kur ata janë në pushtetet Shqipëria kthehet në plaçkë dhe shqiptarët mish për top", tha Rama.

Ora 13:07
Rama: U futa në këtë rrugë jo për t'u bërë politikan, por si emigrant që isha besoja fort që Shqipëria mund të bëhej

1618139026_Screenshot3.jpg

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje të rinjve të bëhen pjesë e politikës jo për tu bërë politikanë por për të ndryshuar të ardhmen e vendit të tyre për ta bërë atë një vend më të mirë. Rama tha se ai iu fut politikës pasi besonte fort kur ishte emigrant se ky vend mund të bëhej.

"Sot ne nuk do të diskutomë për diploma false apo diploma që blihen por sot kemi një arsim të lartë edhe më cilësor dhe diploma të vlefshme edhe në botë. Të rinjtë tonë të diskutojnë me ato programe të barazvlefshme me të atyre në BE dhe kjo është plotësisht e mundur. Kjo mund të bëhet sot dhe nuk mund të behej dje. Kush mund të vinte dje nga emigracioni për të investuar në Shqipëri dhe rindërtuar shtëpinë në fshat dhe bërë agroturizëm. Kush do të vinte dje të investonte në portin e Durrësit, kush do ta mendonte dje se Shqipëria do të hynte në një fazë tjetër të luftës për t'u bërë e ardhmja e të gjithë fëmijëve të vet. Të merresh me politikë nuk do të thotë të bëhesh politikanë. Unë nuk jam futur në këtë rrugë për t'u bërë politikanë, por unë isha në emigracion dhe më shtyu në këtë rrugë besimi shumë i fortë se ky vend bëhet", tha Rama.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike