Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se ditën e sotme vetë Prokuroria e Posaçme ka rrëzuar akuzën kryesore ndaj tij, atë për 'lobimin 1 milionë dollarë për një foto me Presidentin Donald Trump' (gjatë mandatit të tij të parë si President i SHBA).

Komentet Meta i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, pas seancës së sotme të zhvilluar në GJKKO për dosjen ‘Meta-Kryemadhi’.

Duke theksuar se kallëzimi ndaj tij është ngritur nga akuza të rreme, Meta premtoi se edhe akuzat e tjera të ngritura ndaj tij do të ‘çmontohen’ njëra pas tjetrës.

Reagimi i Metës:

Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.

Para gjykatës prokurori pohoi se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë USD për McKeon Group, pikërisht ajo që kam deklaruar publikisht, por edhe në SPAK, që para 3 vitesh, kur jam thirrur për këtë çështje.

Shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër meje, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria.

Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës.


Lajmi kryesor:

Gjyqi në GJKKO/ Ndahet dosja ‘Meta’, gjykim i shkurtuar për Fatime Kryemadhin, Çokun dhe Xhixhon! Ish-presidenti në kafaz: S’mbaj përgjegjësi për veprimet e ish-gruas