1770057980_xtfuioioo.jpeg

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas seancës paraprake që u zhvillua ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme në ngarkim të tij, të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë.

Sipas burimeve të afërta me kryebashkiakun, Veliaj ka pretenduar se ky proces gjyqësor ka kapërcyer kufijtë e çdo standardi minimal të një gjykimi të rregullt ligjor.

Po ashtu kryebashkiaku pretendon se GJKKO jo vetëm që nuk mori parasysh kërkesën e avokates së caktuar kryesisht ndaj tij për të marrë më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen, por sipas Veliajt, pati edhe fyerje dhe shprehje tallëse për aktivitetin e kësaj avokateje.

Veliaj gjithashtu ka deklaruar se nuk i është dhënë mundësia që të njihej me dosjen në ngarkim të tij, pavarësisht se sipas kryebashkiakut, ai kishte shkuar në seancë i sëmurë me temperaturë të lartë, vetëm për të mbrojtjen e tij.

Teksa pretendoi se SPAK ka paraqitur si prova në Gjykatën e Posaçme një opionion mediatik dhe mendimin e një gazetari, Veliaj ka thënë se GJKKO duhet t’i vinte atij në funksion dosjen e plotë në ngarkim të tij përmes një USB-së apo të printuar.

Erion Veliaj kërkoi sërish përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, e cila sipas kryebashkiakut, për arsye që i di ajo dhe prokurorët, është shndërruar në një palë me ta.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se kjo çështje do të hyjë në historinë e jurisprudencës shqiptare si shembulli ekstrem i shkeljeve brutale të çdo elementi të procesit të rregullt ligjor.

Sipas Veliajt, procesi gjyqësor ndaj tij “përfaqëson kufirin planetar të skandalit juridik që po prodhon e ashtuquajtura ‘drejtësi e re’ në Shqipëri”.

Kujtojmë se seanca e sotme u zhvillua mes debateve, ndërsa Veliaj braktisi sallën me pretendimin se nuk u dëgjua nga trupi gjykues.

Pas largimit të Veliajt seanca vijoji deri sa palët përfunduan dhënien e konkluzioneve. Seanca e radhës është caktuar më datë 9 shkurt në orën 12:00 ku pritet të jepet vendimi për çështjen e Veliajt, nëse do të kalojë ose jo për gjykim.

Sakaq, do të vendoset nëse kërkesa e Veliaj për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda do të pranohet ose jo. Në rast se pranohet, kërkesa do të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtare.

 

 

 


Lajmi kryesor:

Seanca paraprake në GJKKO/ Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares dhe u largua nga salla: Po më mohohet mbrojtja! Më 9 shkurt jepet vendimi