Sot në GJKKO u zhvillua seanca e radhës paraprake në ngarkim të kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë. Seanca u zhvillua mes debateve ndërsa Veliaj braktisi sallën me pretendimin se nuk u dëgjua nga trupi gjykues.
Avokatja kryesisht Valentina Teodoresku ka kërkuar shtyrje te seancës pasi nuk ka arritur që të konsultojë me Veliajn të gjitha aktet hetimore. Këtë kërkesë avokatja e argumentoi duke thënë se taksia e priti vetëm 1 orë në qendrën e paraburgimit në Durrës dhe nuk pati më shumë kohë në dispozicion. Kërkesa nuk është marrë parasysh nga gjyqtarja e çështjes Etleva Deda ndërsa Veliaj ka kërkuar përjashtimin e saj pasi i mohoi të drejtën të mbrohej efektivisht.
Pas largimit të Veliajt seanca vijoji deri sa palët përfunduan dhënien e konkluzioneve. Seanca e radhës është caktuar më datë 9 shkurt në orën 12:00 ku pritet të jepet vendimi për çështjen e Veliajt, nëse do të kalojë ose jo për gjykim. Sakaq, do të vendoset nëse kërkesa e Veliaj për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda do të pranohet ose jo. Në rast se pranohet, kërkesa do të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtare.
Për mediat, avokatja Teodoresku tha se kërkesa për shtyrje të seancës është e drejta ime dhe se nuk është arritur që të gjitha aktet hetimore të konsultohen me Veliajn. Ajo tha se është e pamudur të paguajë taksi për çdo herë që shkon në paraburgimin e Durrësit ndërsa përsëriti kërkesën për vënien në dispozicion kryebashkiakut mjetet për tu njohur me dosjen hetimore.
“Asgjë nuk ndodhi, unë kërkova të shtyhej seanca ngaqë kam shkuar dy herë në paraburgim. Një herë ka qenë i sëmurë duke marrë serum, herën tjetër realizova, biseduam por jo të mbaronim tërësisht, dhe nuk vendosëm se carë do të thonim. Unë kërkova shtyrje dhe kjo është e drejta ime. Taksinë e përmenda se kam paguar 2 herë... Nuk kam mjet transporti, kam marrë taksinë dhe kam paguar 80 mijë lekë. Unë më shumë kam dhënë sesa kam marrë. Këtë duhet ta ketë parasysh gjykata që nuk na paguajnë siç duhet. Unë i kërkova kohë gjykatës. I kërkova që gjykata ta pajisi Veliajn me një laptop pa internet dhe një USB se ai kërkon që të njihet me dokumentet. Unë nuk mund t’ia them Veliaj 60 mijë faqe përmendësh”, tha avokatja Teodoresku.
Kryebashkiaku Erion Veliaj është arrestuar më 10 shkurt 2025. Për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes “Veliaj”. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.
Po ashtu, përmes një reagimi të mëvonshëm, Veliaj e cilësoi gjyqin ndaj tij si shembullin ekstrem të shkeljeve brutale të procesit ligjor, teksa ripërsëriti pretendimin se nuk po i jepej mundësia të njihej me dosjen.
Në një deklaratë për mediat, avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj kanë reaguar pas zhvillimit të seancës së tij sot në GJKKO.
Sipas avokatëve të tij, seanca e sotme gjyqësore ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, konfirmoi se procesi në zhvillim ka kapërcyer kufijtë e çdo standardi minimal të një gjykimi të rregullt ligjor.
“Kjo çështje do të hyjë në historinë e jurisprudencës shqiptare si shembulli ekstrem i shkeljeve brutale të çdo elementi të procesit të rregullt ligjor”, thuhet në këtë deklaratë, teksa mbrojtja e Veliajt ka paraqitur me pika ato që sipas tyre konsiderohen shkelje të një gjykimi të rregullt ligjor.
Reagimi i plotë:
Mbi seancën e sotme gjyqësore ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Seanca e sotme gjyqësore ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj konfirmoi edhe një herë se procesi në zhvillim ka kapërcyer kufijtë e çdo standardi minimal të një gjykimi të rregullt ligjor.
Edhe sot, Erion Veliaj u detyrua të vijojë mbrojtjen vetë, pavarësisht se gjykata i kishte caktuar një avokate kryesisht, jashtë vullnetit të tij. Edhe avokatja e caktuar nga gjykata deklaroi qartë në seancë se nuk ka pasur asnjë mundësi reale për t’u njohur plotësisht me dosjen, as për ta konsultuar atë me Veliajn dhe për këtë arsye kërkoi kohë shtesë për të ushtruar mbrojtjen.
Kjo kërkesë, në mënyrë të pashpjegueshme dhe arbitrare, jo vetëm u refuzua nga gjykata, edhe pse bëhej fjalë për një mbrojtëse të caktuar prej vetë saj, por u shoqërua edhe me batuta dhe shprehje tallëse ndaj aktivitetit të saj profesional privat, duke denigruar një profesioniste të lirë të zgjedhur nga vetë gjykata.
Në mënyrë absurde, gjykata e konsideroi mbrojtjen të “ezauruar”, në një situatë ku:
•as avokatja e caktuar nga shteti,
•as vetë Veliaj, nuk kishin njohur dosjen, dhe për rrjedhojë nuk kishin asnjë mundësi reale për të ushtruar mbrojtje efektive.
Kur gjykata pyeti kryetarin e Bashkisë nëse dëshironte të bënte parashtrime mbrojtëse, Erion Veliaj u shpreh qartë se patjetër që dëshironte të mbrohej, duke theksuar se kishte ardhur në seancë edhe i sëmurë, me temperaturë, pikërisht për këtë qëllim. Por, ai ngriti pyetjen thelbësore:
“Si mund të realizoj mbrojtje, kur nuk më jepet mundësia të njihem me dosjen? Këtë mundësi nuk ia keni dhënë as avokates që ju vetë keni caktuar.”
Në seancë ndërhynë edhe avokatë të akuzuave tjerë, të cilët theksuan se një cenim kaq i rëndë i të drejtës së mbrojtjes nuk është parë dhe dëgjuar ndonjëherë, ndërkohë që zgjidhja ishte elementare: t’i jepej mundësia Veliajt të njihej me dosjen, qoftë edhe përmes një laptopi. Edhe kjo kërkesë u refuzua.
Akoma më alarmante janë argumentet e ngritura nga prokuroria, të përsëritura edhe në seancën e masës së sigurimit, sipas të cilave kryetari i Bashkisë së Tiranës paska paguar avokatë jashtë vendit për të “lobuar” kundër tyre, dhe për rrjedhojë “ka mundësi të gjejë avokat edhe në Shqipëri”.
Ky argument është thellësisht keqdashës dhe juridikisht i pavlefshëm. Erion Veliaj nuk ka pretenduar kurrë se nuk gjen avokat. Ai ka kërkuar të mbrohet vetë pikërisht për të pasur mundësinë të njihet me dosjen, sepse asnjë avokat nuk mund të realizojë mbrojtje pa konsultim me klientin dhe ky konsultim është i pamundur pa njohjen e dosjes nga vetë i Veliaj. Madje, edhe avokatja e caktuar nga shteti, jo nga Veliaj, i shpjegoi gjykatës në këtë seancë se: “Edhe sikur të isha njohur me dosjen (gjë që s’ka ndodhur) si mund t’i mbaj mend 61 mijë faqe dhe t’ia riprodhoj z. Veliaj, kur nuk ia japin as të printuara, as laptop që t’i lexojë në USB”.
Qëndrimi i prokurorëve përfaqëson një urrejtje të hapur ndaj avokatit dhe vetë të drejtës për mbrojtje. Në këtë logjikë të rrezikshme, ushtrimi i së drejtës për t’u mbrojtur është shndërruar në rrethanë rënduese.
Absurdi arrin kulmin kur prokuroria paraqet si “provë” në gjykatë:
•një portal mediatik,
•opinionin e një gazetari dhe asnjë provë ligjore për të ashtuquajturin “lobim”, një aktivitet plotësisht i ligjshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjykata pranon portalin si provë dhe mbi këtë bazë, e konsideron këtë një arsye shtesë pse Erion Veliaj duhet të vijojë të mbahet në burg, pse Kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet të vijojë të mbahet në burg dhe pse qytetarët e Tiranës duhet të vijojnë të privohen nga drejtimi i bashkisë nga i zgjedhuri i tyre. Pra, pse ai duhet të ndalojë edhe çdo aktivitet mbrojtës për veten e tij.
Përballë kësaj sjelljeje haptazi të njëanshme, në favor të prokurorisë dhe në shurdhim e verbim të plotë ndaj kërkesave minimale të mbrojtjes, Erion Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, e cila, për arsye që i di ajo dhe prokurorët, është shndërruar në një palë me ta.
Kjo çështje do të hyjë në historinë e jurisprudencës shqiptare si shembulli ekstrem i shkeljeve brutale të çdo elementi të procesit të rregullt ligjor. Ajo përfaqëson kufirin planetar të skandalit juridik që po prodhon e ashtuquajtura “drejtësi e re” në Shqipëri./ Tema
Komente











Veprim i duhur, gjuha autoritare dhe poshteruese e gjykateses ishte e pamundur ta dëgjoje. Dite me te mira do vijn pas riformatimit te trupes gjykuese
PërgjigjuPo çfar prisni???dje e lanë në burg sot do e lirojne???Tani është kthyer në betejë personale duke patur parasysh padinë e VELIAJT per DADON e FRPD .SAPO ka filluar përplasja e MADHE RAMA dhe PD e infiltruar ne DREJTESIME që duhet të ishte dhe që shqiptarët dhe jo SHQIPFOLESIT mezi e prisnin
Përgjigju