Ndërkohë që prej orës 09:30 në Gjykatën e Tiranës vijon seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për 21 të arrestuarit nga protesta e dhunshme para Kuvendit, një autoambulancë dhe disa mjekë kanë mbërritur në ambientet e gjykatës, pasi një prej të arrestuarve, me inicialet N.Q. nuk është ndjerë mirë.

Protesuesi në fjalë thuhet se vuan nga epilepsia, pretendim i deklaruar dje nga avokati Gentian Serjani. Ky i fundit, së bashku me aktivisten Sidorela Vatnikaj, thanë dje se që nga momenti i prangosjes së tij, ai ka pësuar 3 kriza epileptike. Gjithashtu, gjatë këtyre momenteve, sipas avokatit dhe aktivistes, protestuesi është dhunuar nga bliutë.

Report Tv mësoi përmes burimeve nga policia, se N.Q. ka shfaqur probleme shëndetësore, dhe për to është transportuar disa herë në spital, ku ka marrë shërbim sipas vlerësimit të bluzave të bardha. Nga momenti i shoqërimit, thanë të njëjtat burime, ai ka refuzuar të konsumojë ushqim, dhe është dashur dërgimi në spital për të marrë serum. Por në një moment, i paraburgosuri, ka refuzuar të bëjë serumin, ka ofenduar, dhe ka hequr me forcë vigonin nga venat, çka i ka shkaktuar gjakderdhje. 

Kjo thanë burimet, shpjegon edhe bluzën e gjakosur që avokati tha se është prej dhunës nga efektivët.


Lajmi kryesor:

Sulmet me vezë e gurë ndaj deputetëve e policëve/ Prokuroria kërkon burg për 3 nga 21 protestuesit, vijon seanca në Gjykatën e Tiranës! Qytetarët protestë: Lirojini nga qelia