TIRANE – Gjatë samitit të SEECP zhvilluar dy ditët e fundit në Beograd, Serbia ka refuzuar të njohë marrëveshjen që vetë ka firmosur me Kosovën. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme në Shqipëri që në një komunikatë për shtyp sqaroi qëndrimin e saj të djeshëm në takimin e SEECP (Samiti i Bashkëpunimit të Europës Juglindore).

“Pala serbe insistoi deri në fund në përjashtimin e termit “marrëveshje ekzistuese”, sqaron njoftimi për shtyp i MPJ. Kjo dhe disa deklarata të përfaqësuesve serbë bënë të pamundur arritjen e një konsensusi dhe “si përfundim Kryetari i seancës lajmëroi mosmiratimin e Deklaratës politike për shkak të mosdhënies së konsensusit”.

Sipas MPJ, “gjatë Samitit u konstatua ashpërsimi i gjuhës kundër Kosovës si një shtet i pavarur si dhe një qëndrim i prerë kundër përfaqësimit të saj në forumet rajonale. Në fjalën e tij Presidenti Nikoliç nënvizoi se “Pozita parimore e Serbisë lidhur me të ardhmen e Kosovës ….mbetet e pandryshuar. Ne nuk do të njohim kurrë, direkt apo indirekt, deklaratën e njëanshme të pavaresisë”. Ndërsa Ministri i Jashtëm z.Jeremic – vazhdon MPJ - ndërmjet te tjerave theksoi se “…kudo dhe për aq kohë sa do të ketë Republikë të Serbisë, nuk mund te ketë “Republikë të Kosovës”.

“Gjatë gjithë procesit të negocimit të deklaratës Delegacioni shqiptar, insistoi në nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel për dialogun Prishtinë-Beograd. Mbas shume tentativave tona për të riorganizuar negociata për këtë paragraf me ndjeshmëri të lartë, pala serbe nuk na u përgjigj në asnjë rast. Duhet theksuar se qëndrimi ynë ishte në një linjë me atë të disa delegacioneve të pranishme, përfshirë delegacionin e Komisionit Europian. Gjuha e përdorur në propozimin shqiptar përkon tërësisht me formulimet zyrtare të BE-së. Pala shqiptare tregoi gatishmëri për të arritur në kompromis”, shpjegon njoftimi i diplomacisë shqiptare.

(im/shqiptarja.com)