Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç do të vizitojë Shqipërinë më 27 maj. Vizita e kreut të qeverisë serbe do të jetë në kuadër të takimit të kryeministrave të vendeve anëtare të Procesit të bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, SEECP, nismë e cila kryesohet nga Shqipëria.

Vetë kryeministri serb, ka konfirmuar vizitën e tij, duke deklaruar se do të marrë pjesë në një forum ekonomik që do të mbahet në datat 28-29 maj në Tiranë. Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh me homologun serb, për realizimin e një sërë projektesh të përbashkëta mes dy vendeve.

Mes Shqipërisë, që pas vizitës që kreu i qeverisë Rama zhvilloi në Serbi, janë nënshkurar shumë marrëveshje të cilat kanë nxitur edhe më shumë dialogun mes dy vendeve. Konfirmimi i palës serbe u vu në diskutim,pas bllokimit që ata kërkuan t’i bëjnë pjesëmarrjes së Kosovës në këtë samit. 

​Pala serbe kërkoi që në konferencë të përcaktohej qartë se shteti i Kosovës nuk është pjesë e SEECP. Qëndrimet mbi pjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit, shteti serb i bazoi në samitin e Bukureshtit, në të cilin shtetin e Kosovës nuk e vlerësuan si vend pjesëmarrës.

Presidenti
Kreu i Shtetit Bujar Nishani, zhvillimin e konferencës së SEECP nga Shqipëria e përdori për të sulmuar qeverinë. Në një deklaratë pak ditë më parë, Presidenti Nishani u shpreh se ministria e Jashtme ka mënjanuar institucionin e presidencës me ndryshimin e përfaqësimit të shteteve nga nivel presidentësh në nivel kryeministrash. Burime nga Ministria e Jashtme kanë shpjeguar për “Shqiptarja.com” se ky vendim nuk është marrë për të përjashtuar presidentin nga ky organizim, por sepse vendimet që do të merren gjatë zhvillimit të punimeve të SEECP do të jenë të nivelit ekzekutiv. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë u përmirësuan menjëherë pas vizitës historike që kryeministri Rama zhvilloi në Beograd. Në atë vizitë, Rama ftoi publikisht homologun serb në Tiranë, duke kërkuar që marrëdhëniet mes të dy vendeve të hyjnë në një kapitull të ri bashkëpunimi ekonomik dhe politik. Ndërkohë që edhe më herët kryeministrat Rama e Vuçiç u takuan në Itali, gjatë konferencës së përbashkët që morën pjesë në këtë vend.  

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 shkurt 2015

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)