/ATSH-Miranda Sadiku /- Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, në këtë fundviti i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe Qendrës Sociale "Balashe".

Përpos urimit për një vit plot shëndet dhe shpërndarjes së disa dhuratave simbolike, Kryetari i Bashkisë premtoi më shumë vëmendje ndaj personave që frekuentojnë këtë qendër në vitin që vjen.

Sejdini tha se " gjatë vitit 2015, Bashkia e Elbasanit do të rrisë vëmendjen për qendrën sociale nëpërmjet investimeve. Tashmë specialistët kanë bërë gati projektet të cilat synojnë t'i lehtësojnë, t'ju japin më tepër ngrohtësi dhe dashuri personave në nevojë.

Nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë dhe Drejtoreshës së qendrës "Balashe", por edhe me ndihmesën e biznesit u shtrua një drekë festive për këta persona.

Qendra "Balashe" është kthyer në një strehë për të moshuarit që kanë probleme sociale. Personat e moshës së tretë tashmë janë miqësuar me njëri-tjetrin dhe mundohen të zëvendësojnë mungesën e njerëzve të tyre të dashur. Bashkia e Elbasanit është kujdesur t'u zëvendësojë sado pak dashurinë dhe ngrohtësinë këtyre personave.