/ATSH-Miranda Sadiku /- Në vijim të fushatës së tij elektorale dhe takimeve me banorë të lagjeve të ndryshme të qytetit të Elbasanit, kandidati i ASHE-së Qazim Sejdini, i cili kërkon një mandat të tretë në krye të bashkisë së këtij qyteti, është ndalur me banorët e lagjes " Kala".
I cilësuar si një nga takimet më të mëdha elektorale në këtë fushatë, Sejdini pasi ka bërë një përmbledhje të punëve kryesore të realizuara gjatë tetë viteve si kryetar Bashkie për lagjen " Kala", ka folur edhe për prioritetet, synimet dhe projektet që ka për katër vjeçarin e ardhshëm.
Duke e vënë theksin pikë së pari tek punësimi, Sejdini ndër të tjera ka premtuar banorët e kësaj lagjeje se do të bëj të mundur rikosntruksionin e dy rrugëve në lagjen " Kala", si edhe vijëzimin e rrugës së makinave, duke mundësuar kështu evitimin një herë e përgjithnjë të mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi në lagjen historike të qytetit.
"8 vjet më parë kur premë pishat dhe hapëm muret e kalasë kishim shumë kritika, vërejtje pasi ikën pishat, por na doli Kalaja në pah, historia e  Elbasanit, me monumentin e Mësuesve, monumentin e Çamëve, Aqif Pashës, Lef Nosin dhe Martirët e Demokracisë, histori, që të huajt dhe vendasit që vizitojnë Elbasanin, kanë çfarë të dëgjojnë dhe të dinë për këtë qytet", tha Sejdini.
Gjatë fjalës së tij, kandidati Sejdini bëri prezent projektete konkrete në drejtim të infrastrukturës rurale, sistemit të ujit të pijshëm etj.
"Tani u shpreh ai,  Bashkia Elbasan është një bashki e madhe me 12 njësi vendore dhe me 220 mijë banorë, me 745 kilometra katrorë ndaj dhe vëmendja e përkushtimi duhet më i madh".
Synimi im, u shpreh Sejdini,  është që Bashkia e Elbasanit të jetë një bashki sociale. Kemi thënë për punësimin e 10 mijë njerëzve për katër vjet, unë jam dhe do të jem avokati juaj për këto katër vjet, dhe unë jam njeriu që do t'i kërkoj qeverisë programe për punësimin në këtë qytet".
Ndërsa shtoi se, do t'i kërkoj qeverisë të bëj lobim bashkë me të, në të gjithë panairet, në të gjithë takimet ndërkombëtare për t'i treguar investitorëve që Elbasan është zona industriale e Ish Metalurgjikut, që ka infrastrukturën e nevojshme, për ta shndërruar në zonë ekonomike, një zonë të teknologjisë së lartë, ku bashkë me programet e punësimit të ftojmë bizneset dhe të rrisim zhvillimin e industrisë.
Në këtë takim elektoral, Sejdini shoqërohej nga prefekti Arben Kamami dhe deputetja Evis Kushi. Nga ana e tij, prefekti Kamami ka kërkuar ndihmën e banorëve të lagjes " Kala" që votën t'ja japin njeriut të duhur dhe ASHE-së. Kamami tha se " vota për Qazim Sejdini do të thotë që ne të realizojmë legalizimin e ndërtimeve në lagjen tonë, dhe kjo mund të realizohet me ndihmën e Sejdinit dhe deputetëve të PS".