Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Drejtorin Menaxhues për Institucionet Financiare në BERZH, Francis Malige, ku në fokus ishin zhvillimet në sektorin bankar, kreditimi i ekonomisë dhe bashkëpunimi mes dy institucioneve.

Gjatë takimit u vlerësua prezantimi në Shqipëri i nismës “We Finance Code”, që synon të nxisë aksesin në financim për sipërmarrjet e drejtuara nga gratë. Sejko theksoi se angazhimet e marra duhet të përkthehen në masa konkrete për të forcuar përfshirjen financiare.

Palët diskutuan edhe për procesin e përafrimit të kuadrit rregullator bankar shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe për ecurinë e kreditimit të ekonomisë. Guvernatori vlerësoi se sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe i qëndrueshëm, ndërsa nënvizoi se zgjerimi i kreditimit duhet të vijojë në mënyrë të kujdesshme.

Në takim u diskutua edhe programi i Bankës së Shqipërisë për financimin e bizneseve mikro dhe të vogla. Përfaqësuesit e BERZH shprehën gatishmërinë për të mbështetur këtë nismë dhe për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në zbatimin e saj.

Sejko dhe Malige riafirmuan angazhimin për të thelluar bashkëpunimin në fushat që lidhen me integrimin financiar evropian, stabilitetin financiar dhe rritjen e aksesit në financim për bizneset shqiptare.