Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu falenderimet Ambasadorit të Republikës së Austrisë në Shqipëri, Dr. Johann Sattler, për marrëdhëniet e shkëlqyera, si dhe vlerësoi lidhjet historike e miqësinë tradicionale midis dy vendeve, duke theksuar rëndësinë dhe impaktin pozitiv të mbështetjes së Austrisë në zhvillimet e kahershme të vendit tonë.

Më tej, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin e Republikës së Austrisë në Shqipëri, Dr. Johann Sattler me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori Sejko, theksoi se sot ky sistem shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë.

Në këtë drejtim, prioritetet e punës së Bankës së Shqipërisë janë orientuar më së shumti drejt identifikimit të masave për nxitjen e kreditimit, reduktimit të kredive me probleme dhe forcimit të stabilitetit financiar.

Më tej, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit.

Një çështje me rëndësi të veçantë, e diskutuar gjatë takimit, ishte dhe ngjallja e interesit për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe vlerësimi i mundësive për nxitjen e investimeve të huaja direkte në vendin tonë.

Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e klimës së biznesit dhe thithjen e sa më shumë investimeve të huaja në Shqipëri.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)