SHBA - Sekretari amerikan John Kerry ndodhet për një vizitë zyrtare në Turqi, ku çështjet kryesore të axhendës së tij në Ankara janë Siria dhe hapat, që Turqia po bën për zgjidhjen e problemit të terrorit në vend.

Në aeroportin e Ankarasë, Kerry është pritur nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Turqi Frensis Riçardone dhe ambasadori i Turqisë në Uashington, Namik Tan. Më pas ai ka udhëtuar për në Rezidencën Shtetërore për t'u takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutogllu ku në fund të takimit të dy homologët kanë dhënë një konferencë të përbashkët shtypi.

Kerry ka shpjeguar se SHBA-ja dhe Turqia kanë të njëjtat objektiva për një zgjidhje paqësore të krizës në Siri. Dikur aleatë të ngushtë, Turqia dhe Siria janë armiqësuar, që prej fillimit të rebelimit kundër presidentit sirian Bashar al Asad, në mars të vitit 2011. Ankaraja zyrtare e ka kritikuar ashpër Asadin, ndërsa Siria ka akuzuar Turqinë, se po ndihmon rebelët.

Gjithashtu me mijëra sirianë të arratisur nga përleshjet, që vazhdojnë ndërmjet opozitarëve dhe njësive ushtarake të Asadit janë zhvendosur në zonën kufitare me Sirinë. Deri tani numri i sirianëve të sistemuar këtu ka arritur deri në 400 mijë. Ministri i jashtëm ka bërë apel ndërkombëtar për ndihma në ushqim dhe ilace.Të enjten sekretari amerikan në Romë, ku u zhvillua konferenca Miqtë e Sirisë njoftoi një ndihmë të re prej 60 milionë dollarësh për njerëzit në nevojë në Siri.

(l.ç/ad.ti/shqiptarja.com)