TIRANE- Ministria e Punëve të Jashtme është duke hetuar ambasadën tonë në Romë, pas akuzave se në vitin 2014 ka mbështetur një shqiptar të dënuar për trafikimin të lëndëve narkotike. “MPJ dëshiron të njoftojë opinionin publik se ka nisur një hetim të brendshëm konform praktikës për të zbardhur të gjitha rrethanat e çështjes dhe për të kërkuar të gjitha përgjegjësitë ndaj zyrtarëve që mund të jenë implikuar në këtë çështje.

Opinioni publik do të mbahet i informuar në vijimësi për masat e ndërmarra”,-tha dje në një njoftim për shtyp ministria jonë e jashtme. Të kontaktuar nga “Shqiptarja.com”, drejtues të lartë të kësaj ministrie thanë se hetimi ishte duke u zhvilluar deri në orët e vona të natës, dhe se janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur ngjarjen e pretenduar.