Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) çel për studiuesin dhe publikun e interesuar dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit nga Fondi me nr.132, Dega e Sigurimit të Naftës’, tashmë të deklasifikuara.
Ky fond përbëhet nga 255 dokumente arkivore, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1978 – 1983, vite ku sektori i naftës, sipas një grafiku të AKBN, (Agjencia Kombëtar e Burimeve Natyrore), pas një bilanci pozitiv kishte filluar rënie në prodhim, ndërsa kërkimi për puse vijonte ashtu si edhe presioni politik ndërpëmjet strukturës së Sigurimit të Shtetit në këtë sektor jetik.
Dokumentet që po ju ofrojmë janë ndërtuar mbi ngjarjet që kanë ardhur menjëherë pas arrestimeve, dënimeve me burg dhe pushkatim të disa të inxhinierëve të nderuar me urdhra pune dhe dekorata të larta trimërie nga pushteti komunist.
Industria e naftës ishte një ndër sektorët më të rëndësishëm dhe më fitimprurës të ekonomisë, në të cilën regjimi komunist, pas shtetëzimit të kompanive italiane në vitin 1945, vendosi të niste kërkimet dhe shfrytëzimin e saj me ndihmën e specialistëve të ardhur nga Bashkimi Sovjetik.
Në vitin 1949 u mor vendimin për ngritjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit të Naftës, në Kuçovë, ndërsa në vitin 1965 u ngrit Instituti i Naftës menjëherë pas prishjes së mardhënieve me Bashkimin Sovjetik.
Përpjekjet e inxhinerëve dhe specialistëve shqiptarë në vite, bënë që prodhimi i naftës e gazit të arrinte pikun në vitin 1974, me 2,248,227 ton. (Sipas AKBN)
“Nafta çan bllokadën” propagandonte regjimi, ndërsa për çdo avari në këtë sektor bënte gati goditjen e radhës, duke ndëshkuar inxhienerët që më parë kishin zbuluar tonelata naftë dhe ishin nderi i këtij sektori.
Arrestimet e pjesës më të madhe të inxhinierëve të naftës u kryen më 25 mars 1975 dhe pas disa muajsh hetuesie, mes trysnisë dhe torturave, u dënuan ne vitin 1976 inxhinierët: Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi dhe Nuredin Skrapari.
Ata u akuzuan si sabotatorë të pushtetit, për agjitacion e propagandë dhe shkatërrim të pronës së përbashkët publike. Sipas dokumentave dhe dëshmive të të mbijetuarve të kohës, procesi u nxit nga disa letra anonim, u pasua me mbledhjet e Byrosë Politike dhe punës manipuluese nga ana e Sigurimit të Shtetit.
Inxhinerët Koço Plaku dhe Milto Gjikopullin u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, ndërsa trupi i Koço Plakut është ende i zhdukur.