Një letër vetëvrasjeje që thuhet se është shkruar nga Jeffrey Epstein gjatë kohës që qëndronte në një burg të Manhattanit, është mbajtur sekrete për 7 vjet, e mbyllur në një gjykatë në New York.
Një shok qelie tha se e zbuloi shënimin në korrik 2019, pasi Epstein u gjet pa ndjenja me një rrip prej cope rreth qafës. Epstein i mbijetoi asaj ngjarjeje, por disa javë më vonë u gjet i vdekur në burg.
Letra u vulos përfundimisht nga një gjyqtar federal si pjesë e çështjes penale të vetë shokut të qelisë, sipas dokumenteve dhe intervistave. Kjo do të thotë se hetuesit që po shqyrtonin vdekjen e Epsteinit nuk patën në dispozicion atë që mund të kishte qenë një provë kyçe.
Të enjten, The New York Times i kërkoi gjyqtarit të hapë shënimin, i cili thoshte se ishte “koha për t’u thënë lamtumirë”, kujtoi shoku i qelisë, Nicholas Tartaglione. Edhe pse Tartaglione e përmendi shënimin në një podcast vitin e kaluar, mesazhi i shkarravitur ka mbetur i fshehur nga publiku, edhe në një kohë transparence të paprecedentë rreth hetimeve të qeverisë për Epsteinin. Që nga dhjetori, Departamenti i Drejtësisë ka publikuar miliona faqe nga doja lidhur me abuzuesin seksual.
The Times nuk e ka parë shënimin dhe nuk ka mundur ta gjejë atë në dosjet e Epsteinit. Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë tha se agjencia nuk e kishte parë.
Por një kronologji e paqartë me dy faqe në dosje përshkruan se si shënimi u përfshi në çështjen e ndërlikuar ligjore të Tartaglione. Kronologjia thotë se avokatët e Tartaglione e kanë verifikuar letrën, megjithëse nuk shpjegon se si. Nëse është shkruar nga Epstein, mesazhi mund të japë të dhëna për gjendjen e tij mendore në javët para se të vdiste i varur nga një krevat në burg.
Vdekja e Epstein, në moshën 66-vjeçare, u cilësua si vetëvrasje nga mjeku ligjor i New Yorkut. Por zbulimet për mangësi sigurie brenda burgut të Manhattanit kanë nxitur teori të shumta rreth mënyrës se si ai vdiq dhe nëse u vra. Kur Epstein u pyet për shenjat e kuqe në qafë pas incidentit të korrikut, ai tha se Tartaglione e kishte sulmuar dhe se nuk ishte kishte mendime për t’u vetëvrarë.
Tartaglione, një ish-oficer policie i akuzuar për vrasje të katërfishtë, ka mohuar prej kohësh se e ka sulmuar Epstein. Të dhënat e Byrosë së Burgjeve tregojnë se një javë pas akuzës fillestare ndaj shokut të qelisë, Epstein u tha zyrtarëve se “nuk kishte pasur kurrë probleme” me Tartaglione dhe se ndihej i sigurt duke qenë i vendosur me të.
I dënuar në vitin 2023, Tartaglione po vuan katër dënime me burgim të përjetshëm. Ai po ndjek një gjyq në apel dhe mban qëndrimin se është i pafajshëm.
Në intervista të fundit telefonike nga një burg federal në Kaliforni, Tartaglione dha versionin e tij për mënyrën se si e gjeti shënimin.
Pas episodit të korrikut, Epstein u zhvendos në një pjesë tjetër të burgut dhe u vendos përkohësisht nën mbikëqyrje për rrezik vetëvrasjeje. Rreth asaj kohe, tha Tartaglione, ai e gjeti shënimin në qelinë e tij, të futur brenda një romani grafik.
“E hapa librin për të lexuar dhe aty ishte,” tha Tartaglione: një copë letre e verdhë e shqyer nga një bllok shënimesh ligjore.
Shënimi thoshte se hetuesit kishin hetuar Epstein për shumë muaj dhe “nuk kishin gjetur asgjë”, kujtoi Tartaglione. Ai tha se mesazhi vazhdonte në vijat e: “Çfarë doni të bëj, të shpërthej në lot? Koha për të thënë lamtumirë.”
Tartaglione ua dha shënimin avokatëve të tij, tha ai, sepse mund të kishte qenë i dobishëm nëse Epstein do të vazhdonte të pretendonte se ai kishte tentuar ta lëndonte.
Letra nuk u përmend në hetimet zyrtare për vdekjen e Epsteinit, përfshirë një raport të vitit 2023 nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë.
Por dokumenti i kronologjisë i publikuar si pjesë e dosjeve të Epsteinit përmbledh rrugëtimin e shënimit në sistemin e drejtësisë. Nuk është e qartë pse dokumenti, i titulluar “Kronologji” dhe që u referohet të burgosurve dhe avokatëve me iniciale, u krijua ose kush e shkroi atë.
Kronologjia thotë se më 27 korrik 2019, katër ditë pas përpjekjes së dyshuar për vetëvrasje të Epstein, Tartaglione u takua me “BB”, avokatin e tij, Bruce Barket dhe i tregoi për gjetjen e letrës.
Kur një roje tha se Tartaglione nuk lejohej të shkonte në qelinë e tij për ta marrë shënimin, Barket i tha klientit ta jepte tek avokati i radhës që do ta vizitonte, thotë dokumenti. Më pas Barket telefonoi një tjetër avokat, John Wieder dhe i kërkoi të merrte shënimin nga klienti i tyre.
Kronologjia tregon se avokatët u përpoqën dy herë në ditët në vijim ta verifikonin shënimin pa sukses. Ata e verifikuan atë në fund të vitit 2019 ose në fillim të vitit 2020, thuhet në kronologji.
“Avokatët e mi në atë kohë donin të siguroheshin, e dini, që nuk e kisha shkruar unë,” tha Tartaglione në një intervistë të korrikut 2025. Ai tha se kishin përdorur “ekspertë të shkrimit të dorës” për ta analizuar shënimin.
Gjyqtari që mbikëqyr çështjen e Tartaglione, Kenneth M. Karas, i cili shërben në gjykatën federale të distriktit në White Plains, më në fund urdhëroi që letra t’i dorëzohej gjykatës. Wieder i tha The Times se e kishte çuar shënimin në gjykatë dhe ia kishte dorëzuar një nëpunësi. Ai nuk kujtonte çfarë thoshte ai.
Shënimi duket se është përfshirë në një mosmarrëveshje të zgjatur mes avokatëve të Tartaglione, duke bërë që gjyqtari Karas të caktojë një avokat të jashtëm për të hetuar konfliktin, sipas dosjeve publike. Dokumentet e lidhura me mosmarrëveshjen u vulosën për të mbrojtur privilegjin avokat-klient, thonë dosjet. Gjyqtari më vonë lëshoi një urdhër të shkurtër që përjashtoi Wieder nga çështja, duke iu referuar një urdhri tjetër të vulosur që duket se shpjegonte arsyen.
Një zëdhënës i gjykatës refuzoi të komentojë mbi ekzistencën e ndonjë dokumenti të vulosur. Të tilla dokumente, tha ai, ruhen në kasaforta gjyqësore për siguri./New York Times
Komente









