Sekuestrimet e Kishave, “Në Korçë u gjet një
dekret i Sulltan Abdyl Mexhidit i 1839-ës”

Sekuestrimet e Kishave, “Në Korçë u gjet një<br />dekret i Sulltan Abdyl Mexhidit i 1839-ës”
TIRANE- Raporti i 8 shtatorit 1967/ Në kishën e metropolisë në Korçë, mes dokumenteve u gjetën regjistra të vjetra të pagëzimeve, martesave, vdekjeve, si dhe një libër me përmbajtje fetare në gjuhën greqisht, i shtypur në tipografinë e Voskopojës gjatë vitit 1744...”

Një muaj pas raportit që pasqyronte sekuestrimin e mijëra faqeve dokumente si dhe dhjetra mijëra volume botimesh të rëndësishme marrë në institucionet fetare në Shkodër, Lezhë, Rrëshen, Pukë, Tiranë, Durrës, Krujë, etj., në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit hartohet një tjetër raport mbi këtë çështje.  Grumbullimi i materialeve sipas drejtorit të arkivave në 1967, Skënder Hajro, ka vijuar në Korçë, ku sipas tij sërish janë gjetur materiale të rralla dokumentare dhe botimeve të vjetra me vlera historike.   

“Përveç regjistrave të vjetra të pagëzimeve, martesave, vdekjeve etj., që janë shumë të rëndësishme, po me vlerë historike ka edhe disa dokumente të tjera si p.sh. një libër me përmbajtje fetare në gjuhën greqisht, i shtypur në tipografinë e Voskopojës gjatë vitit 1744...”, njoftohet në raport, duke vijuar më tej se po kaq i rëndësishëm është edhe një dekret i Sulltan Abdyl Mexhidit i vitit 1839 që flet mbi taksat, të dhjetat, rekrutimin e të krishterëve në ushtrinë otomane etj. Po ashtu me rëndësi konsideroheshin edhe disa dokumente mbi çështjen e arsimit dhe shkollave greke, si dhe një korrespodencë që fliste për  vrasjen e dhespotit grek Foti nga çeta e Bajo Topullit.

Në raport shënohet se bashkangjitur me të do të jepen edhe inventarët e materialeve dokumentare dhe të librave të sekuestruar, por në dosjen ku u gjet ky raport inventarët mungojnë. Ky dokument, i fundit mbi këtë çështje, i gjetur në dosjen me nr.193, vjen i plotë si më poshtë.
 
Dokumenti i plotë

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
DREJTORIA E PËRGJITHSHME E
ARKIVAVE TË SHTETIT
 
- Dega e Ruajtjes dhe shfrytëzimit -
Nr. 6/14
Tiranë, më 8/9/1967
 
 
KOMITETIT QENDROR P.P.SH.
SH. RAMIZ ALIA
                           T I R A N Ë
 
Në vazhdim të detyrës për grumbullimin e materialeve dokumentare, kjo Drejtori dërgoi një ekip prej dy vetash në Korçë për grumbullimin dhe inventarizimin e materialeve dokumentare dhe fondit bibliotekar të klerit.
I gjithë materiali dokumentar i grumbulluar në Kishën e Mitropolisë, u sistemua dhe u vendos ndër arka të posaçme duke u ruajtur pranë Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit Korçë.

Materiali dokumentar i grumbulluar në Kishën e Mitropolisë përbëhet prej 12 ml. dhe është një material i rëndësishëm historik. Përveç regjistrave të vjetra të pagëzimeve, martesave, vdekjeve etj., që janë shumë të rëndësishme, por me vlerë historike ka edhe disa dokumente të tjera si p.sh. një libër me përmbajtje fetare në gjuhën greqisht, i shtypur në tipografinë e Voskopojës gjatë vitit 1744. Po kështu me rëndësi është dhe një dekret i Sulltan Abdyl Mexhidit i vitit 1839 që flet mbi taksat, të dhjetat, rekrutimin e të krishterëve në ushtrinë otomane etj. Një grup tjetër dokumentesh të rëndësishme janë disa qarkore, udhëzime dhe korrespondenca ndërmjet Patrikanës së Stambollit dhe Mitropolisë për çështje të arsimit dhe shkollave greke, për ngritjen, njohjen e shkollave nga organet qeveritare, porosi për futjen e gjuhës turke në shkollat greke, ndalimin e martesave të “rajave” (ortodoksë) me nënshtetas të huaj etj.

Ndërmjet dokumenteve u gjend dhe një korrespondencë mbi vrasjen e Dhespotit reaksionar grek Foti nga çeta e Bajo Topullit.
Në qytetin e Korçës janë grumbulluar rreth 6.50 ml. material të klerit mysliman të cilat kanë karakter thjesht administrativo-financiar (1916-1967).
Bashkangjitur ju dërgojmë inventarin e materialeve dokumentare të Kishës së Mitropolisë si dhe inventarin e librave.
D R E J T O R I
- Skënder Hajro –

Shënim [nga Ramiz Alia]
Shoku Dashnor
Duhet biseduar me shokun Haki që të merren masa për ruajtjen e shfrytëzimin e gjithë këtyre materialeve.

dekreti




































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit