Helikopterë amerikanë pranë anijes cisternë Marinera

Rusia ka reaguar pas sekuestrimit të anijes cisternë Marinera me flamur rus në ujërat e Atlantikut të Veriut, nga autoritetet amerikane, duke kërkuar që shtetasit rusë në bordin e saj të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Washingtoni duhet të garantojë “trajtim njerëzor dhe korrekt për qytetarët rusë që ndodhen në bordin e Marineras”, si dhe të respektojë plotësisht të drejtat dhe interesat e tyre.

Në reagimin zyrtar thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të pengojnë kthimin sa më të shpejtë të këtyre shtetasve në Rusi.

Ministria ruse e transportit deklaroi se anija cisternë "kishte një leje të përkohshme" për të mbajtur flamurin rus dhe se "asnjë shtet nuk ka të drejtë të përdorë forcën kundër mjeteve të regjistruara në juridiksionet e vendeve të tjera". 

Nga ana tjetër, zyrtarët rusë nuk thanë asnjë fjalë mbi raportimet e mediave se Moska vetë kishte dërguar një nëndetëse në mbrojtje të anijes cisternë, por nëndetësja kishte mbërritur me vonesë. 

 

 


Lajmi kryesor:

SHBA godet sërish! Sekuestrohet anija cisternë me flamur rus në Irlandë, reagon Moska: Aksion i paligjshëm!