TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka hedhur fajin drejtësisë për mijëra metra katrorë të ndërtuar pa leje në mes të Tiranës, duke thënë se të korruptuarit e këtij sistemi janë shndërruar në mburojë për pronarët e pallateve. Ndalur në rastin konkret, pallatin ‘Syri i Tiranës’, Rama ka publikuar dokumentin që tregon se IKMT ka kallëzuar kompaninë “Ideal Cosntruction shpk”, për shtesën pa leje prej 4646 metër katrorë që në muajin korrik të këtij viti, por drejtësia nuk ka lëvizur për sekuestrimin e tyre.

Kreu i qeverisë thotë se ky nuk është rasti i vetëm që është denoncuar nga IKMT, apo instancat e tjera si Policia e Shtetit dhe Tatimet e Doganat, por në të gjitha kallëzimet është drejtësia që nuk vepron. Rama shkruan se ‘Syri i Tiranës’ është një ndër ato raste që është mbushur kupa me drejtësinë.

"Le ta lexojnë vetë se si kohë më parë, i është çuar prokurorisë së Tiranës, rasti i atyre 4 mijë e 646 metrave katrorë në qendër të Tiranës, të cilat dje i mori shteti për interes publik. Dhe ky nuk është i vetmi rast, po rasti që derdhi kupën e durimit me drejtësinë, në raport me parellinjtë e llojllojshëm, kapur me presh në duar tërë këto vite nga Policia e Shtetit, Tatimet e Doganat apo Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, por kthyer në burime të ardhurash për të korruptuarit e drejtësisë", shkruan Rama.

Përmes postimit në ‘Facebook’, Rama u përgjigjet akuzave ndaj tij se ky operacion ka nisur për qëllim elektoral, por sipas tij të gjitha instancat e kanë bërë punën e tyre, ndërsa në të shumtën e rasteve problemi cedon tek drejtësia e korruptuar. Kryeministri shkruan se nesër do të diskutojë për më shumë detaje në komunikimin që do të ketë me qytetarët live, në orën 09:00.

"Por natyrisht, turpi s’është i miqve që shajnë e akuzojnë këtu, të cilët në rastin më të mirë janë votues të verbër të palëve të tjera dhe në më të keqin, qytetarë të mërzitur me politikën, që gabimisht më dinë edhe mua si politikanët e pafytyrë, që tjetër thonë, tjetër bëjnë. Turpi është vetëm i urrejtësve profesionistë të politikës dhe medias, që me tërbimin e tyre të pangushëllueshëm, rrisin përditë sasinë e llumit të kanaleve e të portaleve, ku s’ka më vend për të vërtetën, faktet, argumentet. Ata e helmojnë papushim këdo i ndjek gabimisht me respekt dhe këdo që gabimisht i lexon për të marrë vesh të vërtetën.

I kanë bërë vetë ose do t’i bënin vetë po të kishin mundësi, të tëra zullumet e poshtërsitë për të cilat më akuzojnë mua! Prandaj edhe as e konceptojnë dot, që dikush mund ta udhëheqë këtë vend pa futur duart në xhepat e të tjerëve apo në arkën e shtetit; jo më të kenë pastaj edukatën elementare demokratike, që të mos ta akuzojnë tjetrin pa prova, për akte e vepra penale. Unë natyrisht nuk jam i rënë nga qielli, po duan s’duan ata që s’duan, s’e kam bërë kurrë nën këtë qiell asnjë nga aktet a veprat në fjalë dhe prandaj as jam ndalue ndonjëherë, as kam ndërmend të ndalem deri në fund, përballë kujtdo e çfarëdo beteje në interes të këtij vendi”, shkruan Rama.

Pas sekuestrimit nga qeveria, kompania “Ideal Cosntruction shpk” vendosi t’i dhurojë shtetit shtesën pa leje prej 4646 metër katrorë, e cila do të përdoret për interes publik. Ndërkohë janë sekuestruar edhe tre pallate të tjera. Ditën e sotme u sekuestrua pallati në rrugën 'Myslym Shyri' në Tiranë, pasi kishte ndërtuar 2700 metra katrorë shtesë pa leje, nga firma ‘Arb Trans 2010’ me administrator Shyqyri Maloku dhe ish-ortak deri në vitin 2018 Arben Malokun, ish-administrator i Zall Herrit.

Nga ana tjetër është sekuestruar edhe ndërtesa 9-katëshe të biznesmenit, Julian Morina e ndërtuar pa leje. Ndërsa shtesa tjetër pa leje ishte në një pallat në ndërtim në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe 1200 metër katror. Shtesat e kateve pa leje janë ndërtuar në pallatin në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari. 

Kallëzimi i IKMT