Sekuestro edhe 402
kazinove të mbyllura

Sekuestro edhe 402<br />kazinove të mbyllura
TIRANE- Ministria e Brendshme ka urdhëruar policinë që të ndërhyjë me forcë edhe në ato vende, ku bizneset janë kyçur për t’i shpëtuar verifikimit, ndërkohë që nga fillimi i operacionit “Fund marrëzisë” e deri mbrëmë është ushtruar kontroll tek 1004 subjekte dhe në total janë bllokuar 402 subjekte
 
Policia duket e vendosur që mos të falë as ata organizatorë të lojërave të fatit, të cilët po tentojnë t’i fshihen uniformave blu, duke mbajtur mbyllur aktivitetin e tyre të paligjshëm gjatë ditëve të operacionit të ndërmarrë gjatë këtyre ditëve “Fundi i marrëzisë”. Duke qenë se organizatorët e lojërave të fatit kishin marrë informacion për shkak të dekonspirimit të operacionit, ata kishin mbyllur aktivitetin e tyre, me qëllim që ta rihapin pas uljes së vrullit të ndërmarrë nga Ministria e Brendshme.

Por, kjo e fundit ka urdhëruar policinë, duke bashkëpunuar edhe me prokurorinë që të ndërhyhet edhe në vendet, ku këto biznese janë të kyçura, me qëllim kontrollin dhe verifikimin e kompjuterëve të lojërave të fatit që ata disponojnë. Burimet nga Ministria e Brendshme bënë të ditur se ndërhyrja me forcë në këto aktivitete të paligjshme ka nisur dje dhe kryesisht është përqendruar në dy zona periferike të Tiranës, që janë në territorin e komisariatit nr. 1 dhe nr. 6. Në këto kushte, mësohet se gjatë ditës së djeshme, policia ka ndërhyrë në pesë objekte të mbyllura, brenda të cilave janë gjetur kompjuterë për lojëra fati, që nuk ishin të rregullt dhe të kolauduar nga tatim-taksat.

Ndërhyrja është bërë me forcë, pavarësisht se pronarët e këtyre aktiviteteve kanë pretenduar se ato nuk janë në gjendje pune dhe që nuk kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm. Megjithatë, kjo pritet të vërtetohet gjatë ditëve në vijim, pasi materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar prokurorisë. Ndërkaq, Ministria e Brendshme deklaroi qartë se ndërhyrja edhe në këto raste, kur tentohet të shmanget ligji, do të vijojë si në zonat e tjera të Tiranës, ashtu edhe në rrethet e tjera të vendit. Ndërkaq burimet zyrtare thonë se operacioni “Fundi i Marrëzisë”, nuk ndalet me kaq.

Ministri i Brendshëm ka kërkuar asgjësimin e të gjitha bizneseve në sektorin e lojërave të fatit, pasi pjesa dërrmuese e tyre kanë shkaktuar evazion fiskal. Sipas të dhënave zyrtare, që prej datës 14 tetor që po zhvillohet ky operacion në të gjithë vendin janë bllokuar në total 402 subjekte, ndërkohë që janë kontrolluar 1004 subjekte. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera, janë proceduar penalisht 287 subjekte dhe 285 persona. Aktualisht rezulton se janë 1477 makineri lojëra fati, 118 kompjuterë dhe 400 televizorë të subjekteve të pikave të basteve. Materialet e sipërpërmendura janë në ruajtje pranë Komisariateve të Policisë dhe pranë Tatimeve.
 
Shkrimi u publikua sot (18.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë