Një sasi prej rreth 10 kg lëndë narkotike e llojit heroinë është sekuestruar këtë të mërkurë, në zonë e rrethrrotullimit të 'Saukut' në kryeqytet. Burime për Shqiptarja .com bëjnë me dije se në kuadër të një operacioni antidrogë, policia ka vënë në pranga 5 persona, emrat e të cilëve ende nuk janë identifikuar.
Kanë qenë efektivët shqiponja ato që kanë ndërhyrë pasi kanë patur në ndjekje trafikantët që po përgatiteshin për ta futur sasinë e heroinës në kryeqytet.
Aktualisht janë prangosur 5 persona ndërsa pritet që arrestimet të shtohen pasi, policia po heton për të kapur personat të tjerë që kanë lidhje me këtë aktivitet kriminal, për të cilët dyshimet janë se rrjeti është i shtrirë në disa qytete.
Mësohet se operacioni i kontrolllit është kryer nga Drejtoria e Policisë Durrës në bashkëpunim me sektorin antidrogë dhe personat e shoqëruar janë nga Tirana dhe Durrësi.
Operacioni është ende në vijim sic bëjnë me dije burime pranë ReportTv, ndërsa goditja është bërë në zonën e postbllokut afër rrethrrotullimit të Saukut.