Në një konferencë për mediat dhënë pasditen e sotme, Policia e Tiranës, përmes zëdhënëses Alma Katragjini tha se "pas një hetimi 6-të mujor operacioni i koduar "Ekspozita" arriti të sekuestrojë, sipërfaqe toke në total 50 hektar truall të ndodhura në Komunën Kashar, ambjente biznesi Bar-Kafe të ndodhura në qytetin e Tiranës, tre llogari bankare në shumën prej 290 000 dollarë, 1 apartament banimi në qytetin e Tiranës dhe pesë automjete te markave të ndryshme."
Nga Strukturat e Pastrimit Parave, vazhdon puna dhe po kryhen hetime intensive për identifikimin e pasurive të tjera të këtij shtetasi dhe për persona të tjerë të implikuar në këtë procedim, po ashtu dhe për identifikimin e pasurive, me qëllim vendosjen e sekuestros në kuadër të këtij procedimi penal.
PROKURORIA DEKLAROI PARADITE SE U SEKUESTRUAN 3 mln EURO PASURI
Lajmi u bë i ditur mesditën e sotme mes një njoftimi të Prokurorisë e cila tha se "në total janë sekuestruar 56.400 m2 sipërfaqe toke në Tiranë, Durrës, 5 lokale, mes tyre 3 në Tiranë, 4 apartamente në Tiranë dhe 1 vilë në Durrës, 8 automjete dhe 1 furgon i blinduar, si dhe llogari bankare në dy banka, nëpërmjet të cilave janë kryer transaksione në vlerat 650.000 euro dhe 954.000 USD, në total në vlerën e 3 milionë eurove. Gjithashtu Prokuroria njoftoi se janë vendosur në sekuestro preventive edhe 20 llogari bankare në emër të Elton Deliu, Flutura Deliut, A. Çaushi, A.Musaraj dhe A.Sako."
Sipas Prokurorisë një pjesë e këtyre pasurive ishin regjistruar në emër të Elton Deliut, (Çaushi), i cili në zonë njihej dhe pseudonimin "Kuqi", por dhe të të afërmve të rrethit familjar dhe shoqëror të tij. 32-vjeçari Elton Deliu (Çaushi) u ekzekutua në Tiranë më 27.12.2008 me 11 plumba, bashkë me nënën e tij Flutura Deliu 52-vjeçe.
“Nga informacioni i referuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë dhe nga verifikimet e kryera në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në banka të nivelit të dytë, si edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, rezulton se, në emër të shtetasit Elton Deliu, si edhe të disa personave të afërm me të (të rrethit familjar dhe shoqëror), janë të regjistruara pasuri, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohen si të prejardhura nga aktiviteti i kriminal i shtetasit Elton Deliu”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së përgjithshme.
PASURIA NE EMER TE ELTON DELIUT
Është vendosur sekuestro preventive për pasurite në emër të Elton Deliu që janë:
1. 31.700 m2 sipërfaqe toke në Tiranë
2. 3 lokale në Tiranë (2 në rr. Myslym Shyri dhe 1 në rr. e Dibrës)
3. 3 apartamente në Tiranë dhe 1 vilë në Durrës
4. 4 automjete, njëri prej të cilëve furgon i blinduar
Sipas njoftimit të prokurorisë këto pasuri administrohen nga shtetasit A. Musaraj dhe A. Sako.
PASURITE TE REGJISTRUARA NE EMER TE TE AFERMVE
Prokuroria njoftoi sot se janë evidentuar pasuri të dyshuara si të prejardhurave nga aktiviteti i shtetasit Elton Deliu, të regjistruara në emër të shtetasve F.Deliu, A. Musaraj dhe A.Sako, të cilët kanë pasur lidhje të afërta me të.
Në emër të shtetases Flutura Deliu, e cila është e ëma e Elton Deliut, e ekzekutuar në të njëjtën ditë me të birin, rezultojnë të regjistruara:
1. 12.300 m2 sipërfaqe toke në Durrës
2. Llogari në dy banka, nëpërmjet të cilave ka kryer gjatë vitit 2008 transaksione në vlerat 650.000 euro dhe 954.000 USD
Në emër të shtetases A.Musaraj, rezultojnë të regjistruara:
1. 2 automjete
2. 5000 m2 sipërfaqe toke, të cilat rezultojnë të regjistruara në ZRPP në emër të shtetasit A. Sako, por që i kanë kaluar me kontratë shitje shtetases A.Musaraj.
3. Aktivitet privat person fizik (lokal), debitor pranë organeve tatimore
Në emër të shtetasit A.Sako, rezultojnë të regjistruara:
1. 3 automjete
2. 1 apartament
3. 7400 m2 sipërfaqe toke
4. Aktivitet privat person fizik (lokal), i rregullt në pagesën e detyrimeve
Për të gjitha këto pasuri, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë më dt. 26.12.2012 ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e sekuestros preventive.
*Lajmi u publikua fillimisht në orën 12:17 të ditës së sotme dhe u përditësua në orën 19:30
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)