‘Selfatët, e strehuan dhe e mbajtën me para Enver Hoxhën, por ai i masakroi, burgosi e pushkatoi, pasi…’/ Historia e familjes së pasur gjirokastrite

‘Selfatët, e strehuan dhe e mbajtën me para Enver Hoxhën, por ai i masakroi, burgosi e pushkatoi, pasi…’/ Historia e familjes së pasur gjirokastrite

Ndërtesë e krijuar nga Selafatët në Gjirokastër

Memorie.al / Në muajin janar të vitit 1910, lindi në Gjirokastër nga një familje patriotësh, intelektuali dhe atdhetari i shquar Fejzi Selfo. Në kujtim të jetës, veprës dhe persekucionit komunist të tij dhe familjes nga diktatura komuniste në Shqipëri, po sjellim të ribotuar, disa fragmente nga libri me titull “Të tregosh për Selfot” me autor pinjollin e familjes së Topullarëve Bajo Topulli. Ja si i fillon shënimet e tij, autori Topulli: Tragjedia e Selfatëve të Dunavatit. “Xhevdet Selfua dhe djemtë e tij që punuan për lulëzimin e Shqipërisë”!

Fisi i madh i Selfove, e sidomos familja e Xhevdet Selfos, veç meritave patriotike, është nga të parat që ka kontribuar edhe për ngritjen e zhvillimin e disa qendrave urbanistike të qyteteve të Jugut të Shqipërisë, duke filluar nga viti 1921. Xhevdet Selfua, ndryshe nga shumë gjirokastritë që, investonin në bujqësi e blegtori, ose që e ruanin paranë “floririn” nëpër sepete, bëri të kundërtën. Ai me djemtë e tij, fillimisht u morën me investime në ndërtimin urbanistik, duke filluar nga Saranda, Gjirokastra e më pas edhe në Shqipërinë e Mesme, deri në Tiranë.

Qeveria e Lushnjës, është e para qeveri shqiptare, që mori disa ndihma nga fuqitë evropiane, për stabilizimin e popullatës çame, e cila pas masakrave nga qeveria greke, u detyrua të vinte në trevat e jugut. Firma ndërtuese e Xhevdet Selfos, e organizuar me inxhinierë e punëtorë dhe me bazë materiale, mori përsipër e ndërtoi në qytetin e Sarandës, mbi 40 – 50 ndërtesa njëkatëshe, ku u sistemuan një pjesë e popullsisë çame.

Më vonë, filloi të ndërtojë vila dy tre katërshe, madje disa të tilla, ekzistojnë edhe sot. Xhevdet Selfo dhe 7 djemtë e tij, investuan dhe në drejtime të tjera, si në tregtinë e materialeve hidraulike, atë të stofrave etj., duke hapur dyqane të shumtë në Gjirokastër, Durrës, Tiranë dhe u lidhën edhe me firma të huaja. Pra në vitet ’30-të, ata investonin në disa drejtime dhe punësonin edhe qindra njerëz. Një drejtim ishte edhe ai i hapjes dhe zhvillimit të rrugëve, duke u lidhur edhe me firma të huaja italiane, e në veçanti me këto punime, u mor Fejzi Selfo.

Xhevdet Selfon që me zotësinë e tij, edhe djemve, iu dha arsimin përkatës, brenda dhe jashtë Shqipërisë, i kishim gjiton (komshi). Ai kishte një shtëpi të madhe trekatëshe, me bahçe, me pemë e lule, sigurisht edhe me punëtorë për mirëmbajtje e me shërbyes. Nga fëmijët e shumtë të Selfatëve, mbaj mend vetëm dy djem, Agimin, më i madhi dhe Pëllumbin, moshatar, me të cilët loznim ditë për ditë bashkë. Xha Xhevdeti, kur u moshua, hoqi dorë nga drejtimi i aktiviteteve, duke ua lenë barrën djemve, të cilët ishin edhe ata administratorë e llogaritarë të zotë.

Ai zbriste dhe ngjitej në shtëpinë e tij me një gomar të madh të racës “Martino Franca”, e tërhiqte prej kapistre një djalë nga Dunavati dhe vetëm ai i shërbente. Ky djalë më vonë u bë oficer në Ministrinë e Punëve të Brendshme (nuk ia mbaj mend emrin), por fliste mirë për atë familje. Gjimnazi i Gjirokastrës, i ndërtuar me një stil modern, është vepër e Selfatëve dhe ekziston edhe sot. Nuk jam i sigurt edhe për Bashkinë e re (sot është e lidhur me Turizmin), por edhe shtëpitë e bukura në Varosh, godinën e Zigajt apo të Themeli Litos, po këta i kanë ndërtuar. Vila të shumta që ndërtuan nga Selfot, ekzistojnë edhe sot, në Durrës e Tiranë.

Djemtë e Xhevdet Selfos, ishin bujarë dhe karakterizoheshin nga thjeshtësia dhe komunikonin me këdo. Sigurisht, për çështjen kombëtare, nuk mund të qëndronin në heshtje apo neutralë. Disa djem, punonin në Gjirokastër, të tjerët në Durrës apo Tiranë, unë mbaj mend Qazim Selfon, i cili ishte shok me ne, Topullarajt. Ai kishte pikëpamje nacionaliste, kështu që kuptohet, përfundoi në organizatën e ‘Ballit Kombëtar’, …madje, nuk e di fatin e tij deri në fund.

Djali i madh i tij, Agim Selfua, u inkuadrua në rininë e ‘Ballit’, ishte një djalë rreth 17-18 vjeç, e pashë për herën e fundit, me pushkë të gjatë. Kur forcat e ‘Ballit Kombëtar’ sulmuan Divizionin “Peruxhia”, të ushtrisë italiane në Gjirokastër edhe ai nuk mbeti mbrapa tyre, por kaloi telat me gjemba dhe…atje ngeli me ballistët e tjerë.

Qazim Selfua, nuk e di se si përfundoi pasi erdhi tek vëllezërit në Tiranë. Reis Selfua, ashtu si Agimi, ishte nacionalist, si dhe Qazimi e Fejziu. Kurse Halit Selfua, qysh në fillim përqafoi idetë komuniste. Ishte partizan dhe arriti të bëhej edhe komisar i një çete në jug. Masari, ishte djali i katërt i Xhevdetit, që megjithëse merrej me ekonominë e tregtinë, së bashku me vëllain tjetër, e pësuan më keq, duke i hequr fare nga Tirana e, duke i çuar në Shkodër, deri sa përfunduan të punonin me tulla e llaç. E kush?! Ata që i dhanë edhe Luftës Nacional-Çlirimtare çdo gjë.

Zhvillimi i aktivitetit të firmës Selfo, bëri të mundur edhe ndërtimin e lidhjes së Shqipërisë së Jugut, me rrugë e ura monumentale, si ura e Dragotit, ura e Bënçës etj. Inaugurimi i urës së Dragotit, u bë me datë 29 shkurt 1936. Sipërmarrëse ishte shoqëria e dëgjuar italiane, “Ansaldo” e Gjenovës dhe nën/sipërmarrës, ishin zotërinjtë Selfo – Calculli, kurse punimet i drejtoi inxhinieri i shquar, Korrado Konfelanieri. Kjo urë u ndërtua me të hollat e huasë SVEA, e kushtoi 353.952 franga floriri. Gjatësi e urës, ishte 108 metra, gjerësia bashkë me pezulet, 7 metra e gjysëm.

Lartësia, nga sipërfaqja e ujit, gjer në kulmin e urës, 27 metra. Peshon 500 ton, hekur. Reis Selfo, i qëndroi kësaj ure në kokë dhe kur u bë inagurimi, paria e Gjirokastrës, deshi t’i vinte emrin “Ura Selfo”. Por vëllezërit, me modesti nuk pranuan. Ajo urë lidhi Gjirokastrën me Përmetin, verilindjen dhe me Beratin. Për nga konstruksioni mënyra e ndërtimit përmasat e qëndrueshme, bukuria etj., edhe sot e kësaj dite, është ndër më të arrirat e më të bukurat e llojit në Shqipëri. Pra këta ishin Selfatët, dhe kjo urë, ashtu si dhe vepra të tjera të tyre, çmohen edhe sot.

Për ironi të fatit, kjo familje që dha gjithçka e pësoi shumë keq, më pas vuajti të zitë e ullirit. E nga kush?! Nga ata të pabesë, që nuk ua njohën të mirat që kishin bërë. Si gjithë tregtarët, pronarët e tokave e të blegtorisë, të fabrikave, bile edhe të punishteve, edhe Selfatët pas 1945-ës, i zuri ligji i tmerrshëm i sekuestrimeve, me moton “Fitime të jashtëzakonshme gjatë Luftës”. Pra, nga tatimet e jashtëzakonshme, nuk i shpëtuan edhe ata që kishin ndihmuar Luftën. Me hir e me pahir, u caktuan shumat që duhej të jepte secili pronar (aga, bej apo…) E, këto “tatime”, e “gjoba”, si në qendër e në rrethe, i caktonin ata që drejtonin e që ishin disa smirëzinj e dembelë, vetëm se kishin luftuar. Gjithçka me parullën “Luftë klasave shfrytëzuese!”

Selfatëve, ua morën e sekuestruan dyqanet me mallra të shumtë, shtëpitë e tyre, vilat, ku u futën e strehoheshin njerëzit me pozitë, si: Pashkot në Tiranë etj. Në lagjen tonë të Dunavatit, shtëpia e Xhevdet Selfos, që përshkrova më sipër, tani i ngjan një karakatine që…. sigurisht ashtu si edhe në Tiranë e gjetkë, ua morën për t’u strehuar, klasa e re që mori fuqinë pas 1945-ës. Kaq mendoj të them në këto faqe për familjen e Selfatëve dhe tragjedinë që pësuan ata djem fisnikë e punëtorë të talentuar. Por detyrohem të përmend, edhe diçka për dy nga djemtë e xha Xhevdetit, sepse, këtë ma nxiti e veja e Enver Hoxhës, Nexhmija në një emision televiziv.

Enver Hoxha në Tiranë, jo vetëm kur doli në ilegalitet, por edhe përpara, ka përfituar nga Syrja e Reiz Selfo, ndihma në para, ushqim e veshje, bile edhe strehim. Ndihmë bujare që e jep zakonisht, familja fisnike. Jo vetëm që e kanë mbrojtur atë, por edhe para, flori, i kanë dhënë Lëvizjes. Por, në librin e tij, “Kujtime të vegjëlisë”, Enver Hoxha, shkruan shumë keq për Fejzi Selfon, duke e denigruar padrejtësisht, sikur ai ishte “xhore” e nuk mësonte, ndërkohë që Fejziu, zotëronte tre gjuhë të huaja; italisht, frëngjisht dhe greqisht. Por harroi, se kush e mbajti më vonë me para, e strehë e besë. Ata moshatarë që e kanë njohur, ndonëse me gjysëm zëri, tregojnë të kundërtën. Më tej, ai thotë me përçmim se; Fejziu u bë një ballist i qelbur…!

Si mund ta kuptojë brezi i ri Enver Hoxhën, kur në një libër tjetër të tij, flet për Syrja Selfon, të cilin e vrau gjoja Koçi Xoxe, dhe Enveri e paskej pyetur: “Mos e keni torturuar”?, “Jo – i thotë Koçi Xoxe – shiko që e ka pranuar vetë që ka qenë agjent? (duke i treguar firmën)”. Këtë përmendi në emision zonja, por nuk e zuri në gojë Reiz Selfon, vëllain e Surjait, që u pushkatua me të ashtuquajturën “bombë në ambasadën sovjetike”, në fillim të viteve ’50-të. Mirë Syrjanë, që e paskej vrarë Koçi, po tani që Koçi ishte eliminuar, pse Enveri lejoi, ose urdhëroi, të pushkatohej Reizi?!

Po doktor Enver Sazanin, që e kishte “gjoja” shok të ngushtë, e kishte miqësi me të, kudo e deri në Francë, pse lejoi të vritej? Nuk flas për kunatin, Bahri Omarin, nacionalistin e madh dhe antizogistin, që ishte një shqiptar i veçantë, sepse kishte idealet e tij. Dihet që Bahriu e ndihmoi, e strehoi dhe e rriti këtë njeri…! Fejzi Selfo, e kishte djalë halle Bahri Omarin. E ç’mbetet nga gjithë këto të vërteta tragjike, pas asaj që zonja Nexhmije e tha me mburrje se: “Enveri, ishte një njeri që nuk ndërhynte tek Koçi Xoxe, apo Bedri Spahiu”…?!

Sa e habitshme dhe cinike?! Sikur do të ndërhynte për t’i bërë ministra, ndërkohë që ata u dënuan me vdekje, të pamerituar! Gjithë opinioni, dje dhe sot, nuk mund ta pranojë këtë “arsyetim”, i cili nuk bind askënd, përkundrazi, iu le terren besueshmërie atyre që thonë, se Enver Hoxha, i zhduku këta “shokë” e “miq të tij” …sepse i dinin shumë gjëra që….”! Po se mos ishin këta të fundit..!

Lexues të dashur këtu mbarojnë shënimet e pinjollit Bajo Topulli, ku shkruan për fisnikërinë e persekucionin komunist të familjes së madhe e patriote të Xhevdet Selfos e djemve të tij, ku njëri prej tyre Feizi Selfo, që dha aq shumë për kombin e vatanin e tij, si shpërblim diktatori Hoxha e burgosi, i pushkatoi e vrau vëllezërit e nipat e tij, jo vetëm Agimin e Hajredinin (Çoçon), i cili u pushkatua një vit pas vrasjes së të atit Reizit, por dëboi, internoi e syrgjynosi komplet familjen, madje dhe vajzat e tij. Njëra prej tyre, Zj. Flora Selfo, jeton sot në SHBA me të birin Akilin dhe nusen e tij, Dolorën ish-e internuar politike, e cila përveç se mbaroi shkëlqyeshëm Universitetin në Amerikë, ka mbrojtur me rezultate të larta masterin dhe dipllomën PhD. Janë njerëz të shkëlqyer, dashamirës me këdo, jo hakmarrës, por kërkojnë zbatimin e ligjit për çdo shkejle e padrejtësi, janë për demokracinë e paqen e popullit shqiptar, amerikan dhe gjithë popujve të shtypur në botë.Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja