Seminar për gazin e lëngshëm, Balluku: Mund të gjejë përdorime të shumta. Yuri Kim: Çmim i ulët, por edhe ul ndotjen

Seminar për gazin e lëngshëm, Balluku: Mund të gjejë përdorime të shumta. Yuri Kim: Çmim i ulët, por edhe ul ndotjen

Teksa u mbajt seminari “Mbi Teknologjinë e Gazit të Lëngshëm" Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku është shprehur se gazi natyror mund të gjejë shumë përdorime në vendin tonë dhe të sjellë përfitime të shumta direkte për përdoruesit fundorë përsa i përket kostos dhe efikasitetit.

“Ky takim nderinstitucional dhe gjithëpërfshirës është i rëndësishme për Shqipërinë për dy arsye të veçanta: Së pari, ky bashkëpunim do të përforcojë më tej partneritetin strategjik të konsoliduar tashme midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe së dyti, sepse studimi i potencialit të depërtimit të gazit natyror të lëngshëm në shkallë të vogël dhe shpërndarjen me kontenier në tregun shqiptar, është një mundësi e shkëlqyer për ne.” tha Balluku.

Në seminar ishin të pranishëm gjithashtu, Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, Asistent Sekretari për Hidrokarburet në Departamentin Amerikan të Energjisë, Steven Winberg, drejtues Institucionesh si dhe ekspertë amerikanë në fushën e gazit të lëngshëm.

"Ndikon edhe tek çmimi i ulët, por edhe për të ulur ndotjen. Duam ta shohim Shqipërinë mirë dhe ta ndihmojmë Shqipërinë." tha Yuri Kim.

Fjala e plote e ambasadores se SHBA-se
Vitin e shkuar, përpara Senatit të SHBA, diskutova mbi prioritet e mia nëse do të merrja konfirmimin si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Vërejta rëndësinë që ka përkrahja dhe forcimi i lidhjeve ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe puna për të ndihmuar në sigurimin e mundësive të rritura ekonomike për bizneset amerikane, edhe ato shqiptare.

Shtetet e Bashkura dhe Shqipëria kanë lidhje të forta miqësie dhe angazhimi. Prapëseprapë, unë besoj se ne mund t’i dyfishojmë përpjekjet tona për të përmirësuar dhe forcuar lidhjen tonë ekonomike. Jemi sot këtu për të folur për mundësi, potencial dhe teknologji të re në sektorin e energjisë.

Besoj se të gjithë ju keni ardhur sot këtu për shkak të asaj mundësie. Zyrtarët e qeverisë, drejtuesit e sektorit privat dhe miqtë tanë nga Kosova janë këtu për të parë potencialin e një burimi të ri të energjisë nga një partner i besuar, Shtetet e Bashkuara.

Falë një sërë përparimesh novatore, sot Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror. Gazi natyror i lëngshëm (GNL) nga Shtetet e Bashkuara tani po dërgohet në të gjithë botën për të furnizuar me energji shtëpitë, bizneset, makinat, kamionët dhe autobusët. Nga Hollanda në Itali, GNL po gjen rrugën e tij për në Evropë, megjithëse ende jo në Shqipëri.

Përfitimet e karburantit janë të shumta, por dua të përmend tre më të rëndësishmet për ju. E para është siguria e energjisë. Diversiteti i furnizimit me energji është thelbësor dhe aksesi në karburant nga partnerët e besuar është i rëndësishëm. Shqipëria e di se mund të mbështetet tek Shtetet e Bashkuara, ashtu si Shtetet e Bashkuara e dinë se mund të mbështeten tek Shqipëria.

Së dyti, përfitime mjedisore. GNL ka përfitime të konsiderueshme mjedisore në krahasim me karburantet e tjera fosile. Për shembull, gazi natyror lëshon ndjeshëm më pak dioksid karboni sesa qymyri dhe lëshon sasi të papërfillshme dioksid squfuri dhe dioksid azoti.

Së treti, forcimi i ekonomisë së Shqipërisë. Siç dëshmohet nga pjesëmarrja e miqve tanë nga Kosova, ekziston një oreks i fortë rajonal për një formë energjie të përballueshme, të besueshme dhe të shëndetshme për mjedisin: GNL amerikane. Nëse zhvillohet infrastruktura përkatëse, Shqipëria mund të bëhet një qendër rajonale, duke sjellë shpejt përfitime për ekonominë e Shqipërisë dhe atë të rajonit.

Sot, më janë bashkuar Ministrja Balluku dhe Ndihmës Sekretari për Energjinë i Departamentit të Shtetit të SHBA, Steven Winberg, për të folur në mënyrë të thelluar mbi potencialin e gazit natyror të lëngshëm për Shqipërinë dhe rajonin. Ne gjithashtu do të nisim një studim mbi potencialin e shpërndarjes së GNL në Shqipëri dhe me gjerë në rajon. Por, studimi është vetëm fillimi. Sot kemi gjithashtu biznese private këtu. Ata do të flasin për projekte të njëmendta që po ndodhin në rajon dhe ne do të dëgjojmë për nisma të sektorit privat që janë në proces për t’u provuar dhe për t’i sjellë përfitim ekonomisë shqiptare.

Mundësitë nga këto biseda, jo vetëm për qeverinë, por edhe qytetarin e zakonshëm, janë të shumta. Po, ekziston një potencial që më në fund do të ndezë termocentralin e papërdorur të Vlorës; por ekziston gjithashtu mundësia që shqiptarët të kenë akses në karburant më të lirë e më të pastër kur hyni në makinën tuaj për të shkuar në dyqan ose hipni në autobus për të shkuar në punë. Mund të jetë gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt sigurimit të energjisë së qëndrueshme në shtëpitë tuaja dhe zvogëlimin e importeve të shtrenjta të energjisë. Mund të furnizojë anije që udhëtojnë drejt Shqipërisë, jo vetëm duke kursyer para për blerje karburanti, por edhe duke ulur ndotjen përgjatë brigjeve të bukura të Jonit dhe Adriatikut në Shqipëri.

E ardhmja e energjisë së re është tani. Është kënaqësi t’i jap fjalën Ndihmës Sekretarit të Departamentit të Energjisë për Energjinë Fosile, Steven Winberg, një ekspert me përvojë disa-dekadëshe në industrinë e energjisë, i cili do t’ju tregojë më shumë rreth kësaj përpjekje.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • MAKS VELO: 06/02/2020 00:24

    YURI KIM MEQE NA E DO TE MIREN NEVE SI KOMB TE NA KTHEJE PRONESINE E FUSHES TE NAFTES PATOS-MARINEZ DHE TE LARGOJE BANKERSIN NGA SHQIPERIA,,,VETEM KESHTU DO I JEMI MIRENJOHES DHE EKONOMIA JONE DO ECI POZITIVISHT...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër