TIRANË, 4 Shtator/ATSH/-Pas raportimeve në media për evidentimin e rasteve të sëmundjes "Blue Tounge" tek bagëtitë, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti është nisur drejt fshatit Kamenicë në rrethin e Korçës për të inspektuar nga afër situatën.
Ai ka vizituar një fermë të rritjes dhe mbarështimit të bagëtive në këtë fshat, duke shprehur angazhimin e plotë të ministrisë që drejton për t'ju ardhur në ndihmë fermerëve.
Duke komentuar shenjat e kësaj sëmundje, Ministri Panariti tha se "me t'u shfaqur shenjat e para , fryrja e buzëve dhe dhimbjet , bagëtitë duhen mbajtur ne një vend të qetë , kryesisht në hije , ngaqë kanë vështirësi për t'u ushqyer , ato duhen ushqyer me ndonjë hime të freskët dhe kryesorja është që të mbahet nën kontroll temperatura".  Ai nënvizoi vendosmërinë për t'ju ardhur në ndihmë fermerëve, për dëmshpërblimin e tyre ndërsa kërkoi bashkëpunimin e fermerëve me shërbimet veterinare./a.g/