ITALI - Ditën e mërkurë, senati italian voton për përjashtimin e ish-kryeministrit italian Silvio Berluskoni, pas vendimit të gjykatës së Milanos e cila nxorri fajtor Berluskonin për evazion fiskal. Sipas analistëve italianë, një numër i madh senatorësh do të votojnë pro përjashtimit të tij.

Ish-kryeministri, i cili ka dominuar politikën italiane për rreth dy dekada u kërkoi senatorëve të shtynin votimin për përjashtimin e tij, pasi pretendon se ka prova të reja të cilat e nxjerrin të pafajshëm nga këto akuza.

Senatit do t’i mjaftojnë 161 vota pro për të pasur mazhorancën dhe përjashtuar kështu ish-kryeministrin, por mendohet se do të jenë të paktën 201 votat kundër tij. Berluskoni u dënua për evazion fiskal në tetor të vitit 2012 pas disa marrëveshjeve të Mediasetit për të blerë të drejtat e filmave italianë.

Por përjashtimi nga senati do të thotë humbjen e imunitetit dhe mund të çojë në arrestimin e tij edhe për çështje të tjera kriminale.

Berluskoni do të vuajë një dënim një-vjeçar me arrest shtëpie në lidhje me çështjen e evazionit fiskal.


(v.gj/shqiptarja.com)