Ambasadori i BE-së Ettore Sequi kërkoi respektimin e të drejtave të komunitetit rom. Ai tha se komuniteti rom duhet të ketë akses të njëjtë në arsim, shëndetësi e punësim, si të gjithë të tjerët. Ambasadori Sequi rikujtoi edhe njëherë se respektimi i të drejtave të romëve është një nga kushtet e Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE.
Sequi tha: “Jam i kënaqur që jam me ju për të promovuar vlerat rome.Të gjithë sëbashku do të luftojmë diskriminimin. Ne do të përpiqemi që të keni akses të njëjtë në shëndetësi, arsim, drejtësi. Askush nuk duhet të jetë nën apo mbi ligjin dhe ju duhet të keni më shumë besim tek vetja, se po nuk patët ju, nuk mund të kenë të tjerët tek ju. Arsimi dhe shëndetësia do të jenë prioritet, pasi BE-ja kërkon përfshirje".
Ndërsa ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth u shpreh se "jam i kënaqur që mund të flas me ju me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Kur shoh këtë posterin pas meje shoh një bazë – shohim simbolin e ODIHR-it dhe të BE-së – një punë e përbashkët e mbështetur nga Shtetet pjesëmarrëse, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të kontribuar në jetën tuaj tani dhe për një të ardhme më të mirë. Fillon me përfshirjen dhe përfshirja fillon me ju, kështu që s’kishte si të ishte më mirë; fillon me këtë qendër komunitare si dhe me punën që bëni këtu dhe në mjediset e katit të dytë – një nga gjërat që mbaj mend nga vizita e kaluar ishte kopshti i fëmijëve.
ODIHR-i, zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, misionet e OSBE-së, pjesë e së cilave është Prezenca, si dhe Bashkimi Evropian, bashkëpunojnë ngushtë në lidhje me projektin për “Praktikat më të Mira për Integrimin e Romëve”, që ka për qëllim integrimin e romëve në mbarë rajonin. Ky projekt është një tjetër shembull i partneritetit të mirë ndërkombëtar.
Kjo është një fushë me rëndësi të madhe për ekipin tim dhe për mua personalisht. Ka një histori të gjatë bashkëpunimi midis Prezencës së OSBE-së dhe autoriteteve shqiptare për përmirësimin e situatës së romëve. Për shembull, Prezenca ka kontribuar në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës për Romët.
Kemi asistuar, gjithashtu, në hartimin e legjislacionit kundër diskriminimit dhe kemi mbështetur ngritjen e zyrës së Komisionerit Kundër Diskriminimit, duke përfshirë edhe botimin e materialeve kundër diskriminimit në gjuhët e folura nga pakicat e popullsisë.
Fatkeqësisht, është fakt i trishtuar që minoriteti rom në Shqipëri dhe, do të debatoja, edhe në mbarë rajonin, vuan nga diskriminimi i vazhdueshëm
Për këtë arsye duhen marrë masa të veçanta dhe të menjëhershme për të siguruar që ata t’i gëzojnë plotësisht të të drejtave të tyre, si çdo qytetar tjetër shqiptar.
Në këtë kontekst, mbrojtja nga diskriminimi nuk mjafton. U bëj thirrje të gjitha institucioneve të garantojnë që përfshirjen e romëve dhe kulturës së tyre në politikat dhe veprimtaritë e tyre, si dhe që romët të përfshihen edhe në mes radhëve të tyre", - tha Wollfarth në përfundim.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)