TIRANE- “Integrimi duhet parë si përgjegjësi e përbashkët e politikës, është në interes të vendit dhe qytetarëve. Mosintegrimi në BE sjell kosto, vendi humbet asistencë financiare”. Deklarata vjen nga ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi sot paradite në tryezën rrumbullakët të organizuar nga Bashkimi Europian dhe fondacioni ‘Shqipëria e Hapur’ me temë: Integrimi në BE dhe Demokratizimi: Dy Monedha të të Njëjtës Fytyrë.Tryeza u organizua në hotel Tirana.

Sequi tha se “Procesi i integrimit shton burimet për politikat kombëtare dhe Shqipëria do ketë përfitime nga anëtarësimi në BE”.

Ambasadori i BE-së tërhoqi vëmendjen në realizimin e reformave të shëndetësisë dhe të arsimit, të cilat po lihen mënjanë për shkak të jostabilitetit politik.
“Autorët e raportit kanë vënë re se reformat në arsim e shëndetësi janë të papërfunduara për shkak të jostabilitetit politik. Jo qëndrueshmëria në politikë ka sjellë mos realizim të këtyre reformave”.

Duke u ndalur te klasa politike Ambasadori përsëriti apelin për të vazhduar dialogun në kuadër të marrëveshjes që është firmosur në nëntor. “Tregoni përgjegjshmëri. Integrimi duhet parë si përgjegjësi e përbashkët e politikës. Kërkon dialog politik, seanca të rregullta në kuvend.

DITMIR BUSHATI: TE MBYLLIM REFOMEN ZGJEDHORE
I pranishëm në tryezë, deputeti socialist, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Integrimit Ditmir Bushati duke vlerësuar si të rëndësishëm stabitiletin kombëtar dhe rajonal nënvizoi se “ Klasa politike nuk e ka dhënë provën e duhur në demokraci. Ende nuk shohim që fjalët të kthehen në vepra. Të mbyllim reformën zgjedhore dhe të zgjidhim cështjen e pronës.”

Nga ana e tij Ministri i Brendshëm Bujar Nishani tha se “Procesi i integrimit është proces dypalësh ku në një anë qëndron debati politik, dhe në anën tjetër procesi në terren. Dy kolona që shtyhen dhe tërheqin njëra tjetrën".
(sg/shqiptarja.com)