TIRANE- Ambasadori i BE-së Ettore Sequi thotë se administrata duhet të jetë e qëndrueshme e paanshme dhe e papolitizuar. Në kohën kur Shqipëria përballet me sfida të reja, reforma në administratë është e rëndësishme.

“Dua të kujtoj elementin e 6-të që është reforma në administratën publike, një element mjaft i rëndësishëm themelor. Administrata publike duhet të jetë e qëndrueshme, e paanshme dhe e papolitizuar”- tha ambasadori sot paradite në një takim për reformën administrative që u zhvillua në ministrinë e Punës.  

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe  administratën Puliblike Milena Harito foli për angazhimin e qeverisë për reformimin e kësaj administrate, një tjetër element kyç për integrimin e Shqipërisë në BE.  

Ministrja Harito informoi për 4  draftet e para të akteve nënligjore të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” të cilat janë bërë publike dhe do të diskutohen me grupet e interest. Deri tani janë përgatitur katër draft aktet e para të cilat lidhen me rekrutimin, përshkrimin e punës dhe klasifikimin e punëve, regjimin juridik të trupës së nivelit të lartë drejtues si dhe procedurat e planifikimit vjetor për pranim në shërbimin civil.

"Ligji forcon punësimin e shërbimit civil, duke e rritur dhe numrin e administratës nga 6000 në 20 mijë nga prill i 2014 , forcon parimin e emërimit si nëpunës civil. Katër draftet e para kanë përfunduar. Po punohet me aktet nënligjore nga grupi i punës që është ngritur që në shtator të vitit 2013 dhe konsultimet me grupet e interest do të vazhdojnë brenda 30 dhjetorit”- tha Harito.


PROJEKTVENDIM “PËR RREGULLAT DHE PËRMBAJTJEN E PLANEVE VJETORE TË PRANIMIT DHE PROCEDURAT PËR PËRGATITJEN DHE MIRATIMIN E TYRE”

 PROJEKTVENDIM “PËR PROCEDURAT E REKRUTIMIT, PËRZGJEDHJES, PERIUDHËS SË PROVËS, LËVIZJES PARALELE DHE NGRITJES NË DETYRË PËR NËPUNËSIT CIVILË NË NIVELIN EKZEKUTUES, TË ULËT DHE TË MESËM DREJTUES”

PROJEKTVENDIM “PËR PROCEDURAT E EMËRIMIT, REKRUTIMIT DHE PËRFUNDIMIN E MARRËDHËNIES SË PUNËS NË SHËRBIMIN CIVIL TË NËPUNËSVE CIVILË TË NIVELIT TË LARTË DREJTUES DHE ANËTARËVE TË TND “

 PROJEKTVENDIM “PËR PËRSHKRIMIN DHE KLASIFIKIMIN E POZICIONEVE TË PUNËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, INSTITUCIONET E PAVARURA DHE NJËSITË E QEVERISJES VENDORE”

Në shkurt do të hapet shkolla për krijimin e administratës publike. ASPA do të ofrojë trajnim profesional të thelluar, me kohë të plotë për të gjithë ata që do të punojnë në administratë.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)