TIRANE- Ambasadori i Bashkimit Europian deklaron se statusi i vendit kandidatit për Shqipërinë do të diskutohet në tetor, por nënvizon se gjithçka do te vendoset ne varësi te plotësimit të 12 rekomandimeve kyçe.

“Nëse Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit nuk e di. Është një kohë e gjatë që tani e deri në tetor, janë shumë gjëra për tu bërë. Në tetor progres raporti do të dorëzohet dhe aty do të kemi rekomandimet nëse do të merret statusi apo jo. Çka është e rëndësishme është që ka një progres në zbatimin e prioriteteve kyçe, në veçanti i kritereve politike. Ka sinjale inkurajuese, sic ishte miratimi i kodit penal, por mbetet e hapur reforma elektorale.”- deklaroi ambasadori Sequi në një prononcim për median pas daljes nga Universiteti Bujqësor i Kamzës ku u prezantua projekti për mjedisin.

Qëndrimi i diplomatit të Bashkimit Europian vjen në kohen kur javën e kaluar ne parlament mazhoranca dhe opozita arritën një konsensus te vështirë, duke miratuar ne minutën e fundit ndryshimet ne kodin penal. Por megjithe këtë hap te vogël, palët ende nuk kane gjetur gjuhen e përbashkët për reformën elektorale dhe atë parlamentare si dhe për reformat qe do te mundësonin rezultate te prekshme ne luftën kundër korrupsionit.
sg/.