Serbët e veriut të Kosovës, në
udhëkryq mes Prishtinës e Beogradit

Serbët e veriut të Kosovës, në<br />udhëkryq mes Prishtinës e Beogradit
Kundërshtimet e serbëve të veriut të Kosovës ndaj, siç thonë ata, vendosjes së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe pagesave të doganave për mallin që hyn nga Serbia në Kosovë, i ka vënë ndërmjet dy “zjarreve”, Beogradit dhe Prishtinës, vlerësojnë politikanët serbë të veriut të vendit.

Ata thonë se bllokimi i rrugëve në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, të cilat çojnë drejt vendkalimeve kufitare në Jarinë dhe Bërnjakë, si dhe protestat, të cilat, sipas tyre janë paralajmëruar edhe për ditët në vijim, tregojnë mospajtimin e serbëve lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Lideri i serbëve të veriut, Marko Jakshiç, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga Partia Demokratike e Serbisë, vlerëson në një situatë të tillë, në të cilën serbët e veriut gjenden, siç e quan ai, ndërmjet dy “zjarreve”, mbetet shpresa që Beogradi nuk do t’i zbatojë marrëveshjet.

“Mendimi im personal është se Beogradi, duke pasur parasysh rezistencën e serbëve ndaj marrëveshjeve të tilla, nuk do të shkojë deri në fund të zbatimit të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Këtë e them duke pasur parasysh situatën politike në Beograd, ku edhe në kuadër të vet qeverisë ekzistojnë mosmarrëveshje të caktuara".

"Kështu që unë konsideroj që, bazuar në gjitha këto, serbët janë ndërmjet dy ‘zjarreve’, por me diferencën që ‘zjarri’ nga na e Beogradit është i zbehtë, për të mos thënë se është shumë i dobët”, shprehet Jakshiq.

Por, lideri tjetër i serbëve të veriut,Oliver Ivanoviç, ish zyrtar në qeverinë e mëparshme serbe, për Radion Evropa e Lirë thotë se reagimi i tashëm i serbëve të veriut është i tillë, për shkak se atyre ende nuk u janë sqaruar si duhet aspektet e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, serbët në veri janë të frikësuar me zhvillimin e ngjarjeve mbi të cilat nuk kanë kontroll të plotë.

“Disa gjëra po ndodhin dhe lidhur me to serbët në veri nuk janë të informuar plotësisht dhe në detaje. Pastaj, pas 14 vjetësh të një jete në kushte të vështira, përnjëherë mund të vijë deri te ndryshimi i kësaj gjendjeje".

"Por, njerëzit frikohen se mos ky ndryshim do të jetë më i keq, në vend se të jetë më i mirë. Do të thotë, kjo është arsyeja bazë pse këta njerëz frikohen dhe kur ata frikohen, atëherë reagimi i parë është refuzimi i gjithë asaj që nënkupton çrregullim ose shembje e gjendjes ekzistuese”, thotë Ivanoviq.

Ai ka shprehur mendimin se Qeveria e Serbisë duhet të ketë komunikim më të shpeshtë dhe më të mirë me serbët e veriut të Kosovës, si dhe t’iu kushtojë pak më shumë kohë dhe t’ua sqarojë arsyet e mëdha dhe të imëta, se pse po ndodhin ndryshimet.

Në anën tjetër, Jakshiç, thotë se serbët e veriut nuk do t’i përfillin marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do t’i kthehen formës së vjetër të qarkullimit të mallit, që nënkupton, rrugët që serbët i quajnë si alternative.

Por, me zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, rrugët alternative, do të konsiderohen ilegale jo vetëm nga Prishtina zyrtare, e cila i ka quajtur edhe më parë ashtu, por edhe nga qeveria serbe.

Por, Jakshiç, nuk e beson një gjë të tillë. Sipas tij, qeveria serbe do të përpiqet t’i bishtnojë kësaj situate.

“Para tri apo katër vitesh, Ivica Daçiç e pati nënshkruar me EULEX-in një marrëveshje për kufijtë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Madje edhe Qeveria e Serbisë pati miratuar ligje të caktuar me të cilat ato vendkalime dënohen dhe dënimet shkonin nga 500 e deri në 5 mijë euro. Por, unë ende nuk kam dëgjuar të jetë zbatuar ky ligj kudo qoftë”, thekson Jakshiç.

Por, refuzimi i serbëve të veriut që t’i pranojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel, të cilat i ka nënshkruar Beogradi në emër të tyre, sipas Ivanoviçit, është me karakter të shkurtër, edhe pse ekzistojnë grupime të serbëve që i kundërshtojnë ato.

Ndërkaq, përdorimin e rrugëve ilegale ndërkufitare, sipas Ivanoviçit, serbët e veriut duhet ta harrojnë.

“Sa u përket rrugëve alternative, ato as që mund të diskutohen, sepse, ndër të tjera, ato rrugë i kontrollon edhe xhandarmëria serbe. Kështu që, unë nuk mendoj se kjo është zgjidhja dhe nuk mendoj se serbët do të shërbehen me këtë zgjidhje në këtë situatë”, bën të ditur Ivanoviç.

Ndryshe, Jakshiç thekson se serbët e veriut ende mbajnë shpresa te Gjykata Kushtetuese e Serbisë, e cila sipas tij, duhet ta japë mendimin e saj se a janë marrëveshjet e arritura në dialogun me Kosovën të ligjshme apo kundër kushtetuese.

Marrë nga Radio Evropa e Lirë
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve