BEOGRAD, 20 nëntor /ATSH-AFP/ - Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i dha Serbisë një hua rezervë prej një miliardë euro, e para që prej fillimit të vitit 2012, për të mbështetur një program të zhvillimit ekonomik që përfshin masa të forta shtrënguese.
"FMN-ja do të mbështesë Serbinë gjatë 36 muajve në vijim me një vlerë prej një miliardë euro", deklaroi për median, Zsuzsana Murgasova, kryetare e delegacionit të FMN-së që negocioi këtë hua për dy javë me autoritetet serbe.
"Është një ditë e rëndësishme për Serbinë", theksoi kryeministri, Aleksandar Vuçiç, i kënaqur me arritjen e marrëveshjes me FMN-në.
"Pas vitesh dështime dhe mungesë disipline, Serbia arriti një marrëveshje me FMN-në, një plan ekonomik u përpunua që do të mbështetet nga të gjithë. Pa këtë plan ekonomik deklaratat tona politike nuk vlejnë asgjë", deklaroi Vuçiç.
Një marrëveshje tjetër mes Serbisë dhe FMN-së për një hua prej një miliardë euro u ngri në shkurt të vitit 2012 për shkak të paaftësisë së qeverisë në epokë që të përbushte kushtet e vendosura.
Bisedimet e reja filluan disa ditë pas miratimit nga Parlamenti të një buxheti të bazuar mbi parashikimet e mbledhura nga rënie e PBB-së me një për qind në vitin 2014 dhe të një rritje të deficitit buxhetor.
Megjithatë, Banka Kombëtare (NBS) njoftoi sot se ajo parashikonte një rënie të PBB-së me dy për qind në vitin 2014.
Deputetët miratuan gjithashtu në fund të tetorit shumë masa shtrënguese, kryesisht një zvogëlim me 10 për qind të pensioneve dhe rrogave në sektorin publik që kalojnë 200 euro në muaj.
Serbia, që numpron pesë pensionistë për një të punësuar, përballet me një deficit buxhetor rekord, të vlerësuar në 8 për qind të PBB-së në vitin 2014 dhe që Beogradi kërkon ta ulë në 4,25 për qind në vitin 2016./
/G.S/









