BEOGRAD - Një forum BE-Ballkani Perëndimor zhvillohet sot në Beograd me pjesëmarrjen e ministrave respektivë të Punëve të Brendshme dhe të atyre të Drejtësisë, ku pritet të miratohen linjat kryesore për vazhdimin e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe korrupsionit.
"Forumi do të zhvillohet nën kujdesin e Italisë, që mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian", deklaroi ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç.
"Në axhendë do të jetë edhe çështja e azilit, migrimit dhe çështje të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, liritë, barazitë dhe sigurinë", shtoi Stefanoviç.
Ai theksoi se në fund të forumit do të miratohen konkluzionet që do të shërbejnë më pas si pika referimi.
"Në sajë të një strategjie që ne do të miratojmë së shpejti, do të ndihmojmë të gjitha shërbimet tona që të luftojnë me më shumë efikasitet krimin dhe korrupsionin, që përbëjnë një kërcënim për ekonominë, si edhe kundër terrorizmit", përfundon ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç./ATSH/









