BEOGRAD - Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia tregoi mikpritje të vërtetë ndaj Ramës dhe se reagoi ndaj fjalimit të tij ashtu siç duhet dhe me krenari.
Kryeministri serb tha se "politika e qeverisë së tij është që të bisedojë dhe të zgjidhë problemet, dhe kjo është politika e së ardhmes".
Ai hodhi poshtë kritikat se duhej t'u ishte përgjigjur ndryshe deklaratave të kryeministrit shqiptar që u bënë dje gjatë konferencës së tyre të përbashkët për shtyp.
"Nëse ndonjëri mendon se politikë seriozë është që unë të kapja një shkop dhe të godisja Ramën, mendoj se kjo nuk është politikë serioze, dhe për ata që më mësojnë mua se duhej të kisha bërë diçka të tillë, kjo do të kishte qenë diçka shumë e ulët", theksoi kryeministri serb.
Vuçiç tha se sot do të takohet me ambasadorët e vendeve perëndimore, dhe, mes të tjerash, do të flasë edhe për vizitën e Ramës.
"Dua të shikoj se ç'mendojnë ata, nëse ka ndonjë gjë ndaj Serbisë, nëse ne nuk treguam mikpritje, nëse ne treguam mikpritje të ulët, apo nëse i ofenduam me ndonjë fjalë, apo nëse përdorëm ndonjë fjalë të rëndë të cilën miku ynë nuk e priste, apo nëse ne thjesht po mbronim integritetin tonë, krenarinë tonë dhe sovranitetin", tha Vuçiç.
Përsa i përket udhëtimit të Ramës në Preshevë, Vuçiç tha se gjithçka që ndodhi dje dhe gjithçka që mund të ndodhë sot flet më shumë për Serbinë. /ATSH/