Aleksandër Vuçiç u ul të martën në bankat e opozitës në Parlamentin e Serbisë, për herë të parë pas 14 vitesh qeverisjeje të Partisë Progresive Serbe (SNS). Por seanca e parë e Kuvendit të ri, ku Lista Studentore ka shumicën me 140 deputetë, u shoqërua me akuza, ironi dhe debate që shtynë zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit për të mërkurën, më 18 nëntor.
Vuçiç mbajti një fjalim prej 100 minutash, të cilin e nisi duke uruar fituesit e zgjedhjeve të 25 tetorit, por më pas i akuzoi për incidentet që kishin ndodhur jashtë Parlamentit. Deputetja e SNS-së, Lidija Vukiçeviç, u tërhoq nga flokët dhe u spërkat me kos në hyrje të Kuvendit. Vuçiç tha se nuk kishte dëgjuar asnjë dënim apo kërkim-falje nga shumica e re, ndërsa studentët e Fakultetit të Mjekësisë u distancuan nga incidenti.
“Më keni quajtur përbindësh, tradhtar dhe produkt të një foleje gjarpërinjsh. Nuk ka mbetur fjalë pa u përdorur kundër meje. Megjithatë, unë përpiqem t’i qetësoj njerëzit tanë dhe të tregoj respekt edhe ndaj atyre që mendojnë ndryshe politikisht" tha ai
Ish-presidenti iu rikthye edhe natës së zgjedhjeve, duke pretenduar se protestuesit i kishin sulmuar makinën dhe kishin tentuar ta përmbysnin. Ai mohoi të kishte marrë telefonata nga Bashkimi Europian për të pranuar humbjen dhe këmbënguli se kishte vendosur vetë të tërhiqte forcat e sigurisë për të shmangur një luftë civile. Vuçiç fajësoi gjithashtu fituesit e zgjedhjeve për arrestimet e kryera pas 25 tetorit.
Nuk munguan as ironitë ndaj deputetëve të rinj. Vuçiç kritikoi drejtuesin e grupit parlamentar të Listës Studentore, sociologun Jovo Bakiç, për deklaratat e mëparshme ndaj kundërshtarëve politikë. Kur deputetët studentorë nisën ta kundërshtonin nga vendet e tyre, ai u tha me ironi se mund të vinte në Kuvend që në orën 08:00 për t'u mësuar rregulloren e Parlamentit.
Ndërkohë, jashtë ndërtesës, qindra mbështetës kishin pritur deputetët e Listës Studentore me brohoritjet “Fitore” dhe “Jepi gaz”, ndërsa përfaqësuesit e SNS-së me vërshëllima.
Pas verifikimit të mandateve dhe betimit të deputetëve, Kuvendi u shpall zyrtarisht i konstituuar, por zgjedhja e kryetarit ngeci mes debateve. Lista Studentore, që ka 140 nga 250 mandatet, ka propozuar profesorin Aleksandar Çupiç për drejtimin e Parlamentit, ndërsa SNS-ja, me 103 deputetë, ka kandiduar Stojan Radenoviçin, i cili drejtoi edhe seancën konstituive.
Çupiç e kritikoi Radenoviçin për ndërprerjet e gjata dhe lejimin e diskutimeve jashtë rendit të ditës.
“Kemi qenë dy herë nga 10 minuta në sallë. Mendoj se kjo është paksa e papërgjegjshme nga ana e atij që drejton seancën”, tha ai.
Në orën 18:00, pa arritur te votimi, seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj u caktua për të mërkurën në orën 10:00.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit do të përcaktojë edhe kush do të marrë detyrën e presidentit në detyrë, pas dorëheqjes së Vuçiçit në shtator. Zgjedhjet e parakohshme presidenciale duhet të mbahen deri më 27 dhjetor, ndërsa me konstituimin e Parlamentit ka nisur edhe afati 90-ditor për formimin e qeverisë së re.

Aleksandar Çupiç është kandidati që Lista Studentore ka propozuar për kryetar të Parlamentit të Serbisë, pas fitores në zgjedhjet e 25 tetorit. Por rruga e tij drejt politikës nis nga një fermë familjare në Sopot, ku ai dhe bashkëshortja e tij strehuan qindra studentë gjatë protestave kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiçit.
Çupiç është pedagog në Fakultetin e Transportit dhe baba i gjashtë fëmijëve. Në vitin 2012, kur Vuçiç erdhi në pushtet, ai dhe bashkëshortja Ana vendosën të largoheshin nga Beogradi dhe të zhvendoseshin në një fshat të komunës së Sopotit. Të dy vinin nga Prokuplja dhe donin t'i rrisnin fëmijët larg jetës së qytetit.
Fillimisht familja nisi të prodhonte ushqime për nevojat e veta. Me kalimin e kohës, prodhimi u zgjerua dhe në vitin 2017 ferma mori certifikimin për prodhim organik. Por Çupiç këmbëngul se jeta në fshat, me gjashtë fëmijë, fermën dhe dy punë kërkuese, nuk është aq romantike sa duket në televizor.
Kontakti i tij i parë me lëvizjen studentore erdhi në dhjetor 2024, kur studentët e ftuan në një diskutim së bashku me tre profesorë të tjerë.
Çupiç rrëfente se mbeti i befasuar nga mënyra si studentët organizonin mbledhjet dhe merrnin vendime.
“E kuptova se ata komunikojnë më mirë se kushdo tjetër në sistemin tonë shoqëror. Ajo kulturë dialogu dukej sikur vinte nga një shoqëri dhe një kohë tjetër”, shprehej ai.
Por ngjarja që e afroi më shumë me lëvizjen ndodhi gjatë marshimit të studentëve drejt Kragujevacit. Në Sopot, familja Çupiç u përpoq të gjente një sallë ku studentët mund të kalonin natën, por askush nuk pranonte t'i strehonte. Për këtë arsye, ata vendosën t'u hapnin serat e fermës së tyre.
Fillimisht prisnin 200 deri në 300 studentë. Më pas numri i të rinjve që po afroheshin u rrit në 500, 600 dhe deri në 700. Familja nisi përgatitjet për t'i pritur të gjithë.
Çupiç kujtonte se disa miq u sollën ushqime, por nuk guxuan as të dilnin nga makinat.
“E sheh që te njeriu ka ende diçka njerëzore, por nga ana tjetër ka frikë dhe presion”, tregonte ai.
Për të, strehimi i studentëve nuk ishte akt heroik.
“Do të pranoja edhe studentët kundër bllokadave, nëse do të kishin nevojë për një vend ku të flinin. Ishte thjesht një veprim njerëzor”, shpjegonte Çupiç.
Kur studentët i propozuan të bëhej pjesë e listës së tyre zgjedhore, Çupiç nuk ishte menjëherë dakord.
“Në fillim nuk më dukej aspak ide e mirë. M'u bë një gur në stomak kur më telefonuan”, rrëfente ai.
Ajo që e bindi ishte mënyra si studentët i dëgjonin edhe ata që nuk pajtoheshin me vendimet e tyre.
“Studentët janë e vetmja organizatë që kam parë, e cila, kur duhet të marrë një vendim të rëndësishëm, përpiqet të përfshijë edhe ata që nuk janë dakord”, shprehej pedagogu.
Ai pranoi kandidimin pa e ditur se në cilin vend do të renditej në listë. Sipas tij, vendimet nuk merreshin nga një grup i vogël njerëzish në Beograd, por nga qendrat universitare dhe komunitetet lokale.
Në media Çupiç fliste edhe për mënyrën si e përfytyronte veten në Parlament: një deputet që u përgjigjet provokimeve me qetësi dhe argumente.
“Politikanët tanë nuk janë profesionistë, por politikanë kronikë. Le t'u ofrojmë një program edukimi në Parlament”, deklaronte ai.
Seanca e parë e Parlamentit të ri të Serbisë, pas humbjes së pushtetit nga partia e Aleksandar Vuçiçit, u shoqërua me tensione në Beograd. Aktorja e njohur serbe Lidija Vukiçeviç, e zgjedhur deputete nga lista “Serbia e Bashkuar”, e mbështetur nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), u sulmua me kos teksa po hynte në ndërtesën e Parlamentit.
Qytetarë të shumtë ishin mbledhur para Parlamentit, ku deputetët e Listës Studentore, fituese e zgjedhjeve të 25 tetorit, u pritën me brohoritje, ndërsa përfaqësuesit e ish-pushtetit me fishkëllima.
Gruaja që i hodhi kos aktores është Marija Radovanoviç, ish-sekretare e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Beogradit, e shkarkuar vitin e kaluar pas mosmarrëveshjeve për procedurën e largimit të dekanes Tatjana Simiç.
Vukiçeviç pretendoi se disa persona e kishin tërhequr dhe shkulur nga flokët përpara se t'i hidhnin kos.
“Fillimisht nisën të më tërhiqnin nga pas, të më shkulnin flokët dhe më pas të më hidhnin kos. Kjo është e papranueshme ndaj kujtdo. Nuk do të pajtohem kurrë me atë që bëjnë ata. Do të vazhdoj të mendoj kështu deri në fund dhe nuk do të kem frikë”, deklaroi ajo.
Duke folur nga holli i Parlamentit, aktorja tha se ndihej shumë keq pas incidentit.
“Ndihem shumë keq sepse më sulmuan serbët. Gjithë jetën dhe karrierën time ia kam kushtuar Serbisë dhe popullit tonë, për t'i argëtuar dhe për të dhënë më të mirën time. Kemi arritur në një pikë ku, nëse nuk mund të ndihesh i sigurt përpara Parlamentit, atëherë ku mund të ndihesh? Pavarësisht britmave dhe fyerjeve, unë buzëqesha dhe i përshëndeta, por ai nivel primitivizmi, vulgariteti dhe sjelljeje është diçka për të cilën nuk kam fjalë”, tha Vukiçeviç.
Ajo akuzoi gjithashtu policinë se nuk kishte ndërhyrë, megjithëse në vendngjarje ndodheshin dhjetëra efektivë.
“Edhe sikur të më hedhin 30 litra kos, unë do të vazhdoj të bëj atë që bëj. Por dua vetëm t'ju pyes: Ku po shkon ky vend dhe kush synon ta drejtojë? Nga më shumë se 50 policë që ndodheshin aty, askush nuk reagoi”, u shpreh ajo.
Pas incidentit, avokatët e organizatës Pištaljka, të cilët kishin përfaqësuar më parë Radovanoviçin në një çështje që lidhej me denoncimin e shkeljeve në Fakultetin e Mjekësisë, njoftuan ndërprerjen e përfaqësimit të saj ligjor.








Komente
Komento