Qeveria e Serbisë ka filluar përsëri ofensivën e saj për të penguar njohjet për Kosovën. Diplomacia e Beogradit është përqëndruar tek shtetet islamike ku është vërejtur se mund të ketë valë të reja njohjes pas shkëndijës së dhënë prej Pakistanit.

Në fillim të 2013 Serbia nis të dërguar special në vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, kurse në qendër të vëmendjes janë shtetet si Indonezia dhe Egjipti. E përditshmja serbe “Veçernje Novosti” shkruan se këtë ide e ka promovuar kryeministri Ivica Daçiç dhe në ditët e ardhshme bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme do ta sqarojnë në detaje planin.

“Në rast se Egjipti apo ndonjë vend tjetër i fuqishëm islamik pranon pavarësinë e Kosovës, kjo mund të shkaktojë pasoja të rënda në përpjekjet tona diplomatike që ta ruajmë Kosovën”, ka thënë një burim brenda qeverisë serbe për “Veçernje Novosti”.

(d.m/ad.ti/shqiptarja.com)