Qeveria serbe nuk thotë se ka marrë vendim zyrtar për heqje dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, mirëpo një përfaqësues i saj për herë të parë ka pranuar se ky shtet do ta respektojë qëndrimin e UNMIK-ut nëse Rezoluta 1244 nuk e lejon një gjë të tillë.

Shefi i delegacionit serb në dialogun Kosova - Serbi Borisllav Stefanoviq, ka thënë se qeveria në Beograd e respekton këtë qëndrim pasi misioni i përkohshëm i OKB-së në Kosovë është i vetmi që mund ta interpretojë Rezolutën 1244. 

Beogradi jozyrtarisht e pranon se nuk ekziston asnjë formulë që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve për pushtetin lokal në territorin e Kosovës. Shefi i delegacionit serb ka deklaruar për mediat serbe se negociatat me Kosovën do t`i fillojë qeveria e re e Serbisë, ndersa qe deri në mbajtejn e zgjedhjeve duhet të implementohen marrëveshjet e arritura. 

Zgjedhjet parlamentare serbe dhe ato lokale për qytetet e Serbisë janë mbajtur që nga paslufta edhe në Kosovë. Përpos deklaratave kundër, të zyrtarëve kosovar, ato janë lejuar të mbahen edhe nën administrimin e UNMIK-ut. 
Kandidatë serbë, ndër ta edhe Nikoliç i Partisë Radikale Serbe të Sheshelit, por edhe vet Daçiç i Partisë Socialiste Serbe të Millosheviçit kanë bërë fushatë në Kosovë në të gjitha zgjedhjet serbe që nga paslufta. Nuk kanë munguar as sllogane antishqiptare, e as foto të kriminelëve të luftës si Sheshel, Mladiç, Karagjiç e Millosheviç.

Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi janë shprehur se nuk do të lejojnë më mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

/rg/shqiptarja.com/