Serbia po vaksinon me shumë sukses, po ku qëndron sekreti?

Serbia po vaksinon me shumë sukses, po ku qëndron sekreti?

Foto e një njeriu duke u vaksinuar kundër COVID-19

Serbia është shumë përpara Gjermanisë, Francës dhe të gjitha vendeve të tjera të BE-së me vaksinimin. Si është e mundur kjo?

Në një intervistë për gazetën gjermane FAZ ministri i Shëndetësisë i Serbisë Zlatibor Lončar e shpjegon suksesin e deritanishëm ndër të tjera me faktin se vendi i tij, ndryshe nga vendet perëndimore, është përpjekur të marrë vaksina nga të gjithë ofruesit.

Prandaj në Serbi janë në dispozicion prej disa javësh jo vetëm vaksinat e Pfizer/Biontech, por edhe vaksina ruse "Sputnik V" dhe vaksina kineze Sinopharm. Po ashtu ndryshe nga shumë vende të tjera, qytetarët e Serbisë mund të zgjedhin se çfarë vaksine dëshirojnë të bëjnë.

Vaksina ruse më e preferuara në Serbi

Sipas Mirsad Djerlek, sekretar shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë, vaksina ruse është më e preferuara në Serbi. Sipas tij 40 përqind e atyre që dëshirojnë të vaksinojnë kanë zgjedhur "Sputnik V" dhe vetëm 28 përqind Pfizer.

Arsyeja kryesore që Serbia radhitet ndër vendet kryesuese në garën e vaksinimit lidhet me Kinën, e cila deri tani i ka lëvruar Serbisë një milion doza të vaksinës Sinopharm - një shumë e konsiderueshme për këtë vend me shtatë milion banorë.

Kontigjenti i parë arriti në mes të janarit dhe presidenti Vuçiç dhe ambasadorja kineze në Beograd dolën personalisht në aeroport. "Ne jemi krenarë për marrëdhëniet tona të mira me Kinën," tha Presidenti i Serbisë.

Politikë simbolike rajonale

Me përparësinë e Serbisë në furnizimin me vaksina mund të praktikohet shkëlqyeshëm edhe politikë simbolike rajonale. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha së fundmi se Serbia i mundësoi së fundi Maqedonisë së Veriut të blinte prej saj 8,000 doza vaksine Pfizer/Biontech. Presidenti Vuçiç njoftoi po ashtu plot kënaqësi se Serbia mund të ofrojë ndihma të mëtejshme: “Ky është një hap miqësor dhe vëllazëror drejt qytetarëve të Maqedonisë e Veriut. Ne nuk kemi asnjë problem për të ndihmuar edhe Shqipërinë. Dhe jemi gjithashtu të gatshëm të ndihmojmë edhe shqiptarët në Kosovë”

Se sa ngarkesë politike kanë çështje të tilla u bë e qartë në dhjetor, kur Beogradi dërgoi një sasi minimale prej 55 dozash vaksinash në veriun e Kosovës. Prishtina u shpreh për ndërhyrje në çështjet kosovare, kurse Vuçiq u përgjigj se Serbia nuk kishte dërguar artileri apo tanke, por vetëm vaksina dhe ilaçe.

Zili dhe dyshim

Ndërkohë shtetet fqinje e shohin gjysmë me zili dhe gjysmë me dyshim suksesin e Serbisë. Kritika ndaj qeverisë nuk pati vetëm në Maqedoninë e Veriut, e cila u mbështetet me shumë besim tek furnizimi me vaksinë përmes programit Covax. Ky program i mbikëqyrur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe i financuar kryesisht nga fondet e BE-së, synon t’u garantojë edhe vendeve të dobëta ekonomikisht akses në vaksinë, pavarësisht financave të tyre. Me këtë synohej të shmangej "nacionalizmi i vaksinimit" dhe garat mes ofertave që do të çonin në rritjen e çmimeve.

Zërat kritikë në rajon thonë që në vend që të mbështeteshin vetëm tek Covaxi, vendet e Ballkanit duhet të kishin zgjedhur si Serbia rrugën e negociatave dypalëshe. Në Maqedoninë e Veriut tani ka shpresa që vaksinimi të fillojë dikur në shkurt.

Narrativë rajonale e krizës

Sfida për vaksinat bën gjithashtu të qartë përbërësin gjeostrategjik të zhvillimeve të fundit me moton: Kina si shpëtimtare, BE-ja si dështake në raste urgjencash. Aleksandar Vuçiq e krahasoi kohët e fundit situatën në Ballkan me atë të pasagjerëve më të varfër në Titanik: udhëtarët e klasit të parë kanë siguruar nga një vend në varkat e shpëtimit, “dhe vendet që nuk janë të pasura, apo janë të vegjël, si vendet e Ballkani Perëndimor, po mbyten bashke me Titanikun.”

Nëse kjo do të shndërrohet në narrativë rajonale të krizës, dëmi për BE-në do të ishte i konsiderueshëm. Duke parë rreziqe të tilla ministrat e Jashtëm të 13 vendeve anëtare publikuan një letër të përbashkët në fillim të janarit ku bënin thirrje vendeve të BE-së për t’i ndarë furnizimet e tyre me fqinjët në Ballkan. Sepse BE nuk do të jetë e sigurt nëse nuk janë të sigurt shtetet në afërsi të saj. Përveç vendeve fqinje si Bullgaria, Kroacia, Hungaria dhe Rumania, mes nënshkruesve ishin edhe Danimarka, Finlanda dhe Suedia. Kurse Gjermania jo./ DW

J.GJ./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 05/02/2021 22:51

    Serbia është duke injektuar ujë me shefqet në të shunten e rasteve

    Përgjigju
  • roni: 04/02/2021 16:57

    Nqse vaksina Ruse dhe Kineze jane te certifikuara Ballkani duhet ti mari sepse eshte per te miren e popujve te tyre qe BE nuk i ka ne liste fare sepse vet eshte e deshtuar. Ketu del thenia e shokut Enver BAR DO HAME DHE DOREN ARMIKUT NUK JA SHTRIME.... por ne fakt perse i paskemi armiq apo se po na afrojne vaksina....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër