Serbia e ka pritur me zemërim takimin trepalësh të shefave të mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacië gjatë kësaj jave në Shkodër. Me të marrë lajmin e takimit, por edhe të faktit që të tre vendet do të zhvillojnë këtë vit stërvitjen e parë të përbashkët trepalëshe në përputhje me konceptin strategjik të NATOs, Ministria e Mbrojtjes në Beograd reagoi duke thënë se e konsideron aleancën ushtarake dhe si e tillë përbën një faktor presioni dhe sfidë sigurie për Serbinë dhe serbët, por edhe një kërcënim për sigurinë rajonale.
“Ky veprim përfaqëson shpërfillje të hapur dhe shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës. Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë, nën administrimin e OKB-së, dhe KFOR-i është e vetmja forcë e armatosur legjitime në territorin e Kosovës, me mandat të përcaktuar qartë . Republika e Serbisë e sheh këtë aleancë ushtarake si faktor presioni dhe sfidë sigurie për Serbinë dhe për popullin serb në Kosovë. Vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes, por njëkohësisht sinjalizon qartë se nuk do të lejojë që interesat e tij jetike kombëtare dhe të mbrojtjes të rrezikohen”, tha Ministria e Mbrojtjes sipas B92.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia reagon kundër bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Në janar, Alexandër Vucic tha se ishte i shqetësuar nga “formimi i aleancave ushtarake kundër Serbisë” dhe siguroi që kapacitetet e mbrojtjes të Serbisë janë në rritje.
Aleanca mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë u nënshkrua me 18 mars të vitit 2025 në Tiranë dhe synon të rrisë bashkëpunimin mes tre vendeve në fushën e mbrojtjes.
Komente








