Torino i jep fund ecurisë pozitive të Romës në Serinë A. Ekipi “granata” ka fituar 2-0 në “Olimpico” duke e nisur me tre pikë vitin e ri. Protagonisti i madh i ndeshjes ishte kapiteni Andrea Belotti me dy gola. Sulmuesi tundi rrjetën në shtesën e pjesës së parë dhe llogaritë i mbylli katër minuta nga fundi me penallti. Verdhekuqtë ruajnë vendin e katërt dhe javën që vjen presin skuadrën tjetër torineze Juventusin.
Java e 18-të e Serisë A e para për vitin 2020 mbyllet sonte në mbrëmje me superndeshjen Napoli-Inter. Zikaltërit për herë të fundit në stadiumin “San Paolo” kanë fituar përpara 22 vitesh që në kohën e Ronaldo brazilianit. Tekniku Antonio Conte e ka grupin disi më të plotë pasi do të rikthehen si titullar Brozovic e Lautaro të pezulluar në ndeshjen e fundit dhe Sensi rikthehet pas dëmtimit.
Tek Napoli trajneri Gattuso duhet të bëjë pa dy lojtarë të rëndësishëm si Koulibaly dhe Mertens. Tekniku pret një ndeshje të vështirë ndaj kryesuesve dhe sqaron se Napoli i tij duhet të mësojë të vuajë.Ndeshja nis në 20:45.
Ndërkaq në Angli Jurgen Klopp ka fituar duelin e parë me Carlo Ancelotti-n. Liverpooli edhe pse me lojtarë të rinj ka fituar 1-0 derbin ndaj Everton duke avancuar më tej në FA Cup. Goli i shënuar ishte fantastik dhe mban firmën e Curtis Jones./Përgatiti Andi Kapxhiu/