Heroi i javës së 19-të të kampionatit italian të futbollit është padyshim Domenico Berardi, i cili i shënoi plot 4 gola ekipit të Milanit për herë të parë në histori duke e fundosur në vendin e 11 me 22 pikë në përfundim të fazës së parë të Seria A.

Ndeshja Sassuolo- Milan, pritej që të ishte e vështirë për kuqezinjtë, por e kalueshme sipas trajnerit Alegri. Fillimi i ishte mjaft i mirë për Milanin që shënon dy herë me Robinhon dhe Balotelin duke lënë përshtypjen se gjithçka përfundoi, por në fakt ndodhi e kundërta.

Vendasit nuk u dorëzuan kurrë dhe fillimisht ngushtuan diferencën me Berardin, i cili pak minuta më pas vendosi edhe barazpeshën. Kur dy ekipet po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes në barazim, Berardi shënon edhe golin e tretë duke çorientuar miqtë.

E ndërsa pjesa e dytë duhet të niste e mirë për Milanin, ndodh e kundërta, pasi Berardi bëhet sërish protagonist duke hyrë në histori, pasi shënon edhe golin e katërt duke bërë poker. Të besuarit e Alegrit shtangen duke mos u besuar syve.

Milan hedh në fushë edhe blerjen e re, Honda, por ‘gazi’ kishte përfunduar, megjithëse ngushtojnë diferencën me golin e Montolivios në fund. Ndërsa Berardi me katër golat e shënuar Milanit brenda 32’ minutave është për ‘Guinnes’.