Bardhezinjtë mundën 3-1 Cagliarin në “Allianz Stadium”, duke rivendosur diferencën prej 6 pikësh me dy skuadrat ndjekëse, Napoli dhe Inter. Po luhej ende minuta e parë, ose më saktë sekonda e 43-të, kur Paulo Dybala zhbllokoi takimin me një gjuajtje të saktë brenda zonës, që rezultoi e pakapshme për portierin Cragno. Goli i shpejtë dha përshtypjen se Juventusi mund të fitonte me lehtësi me goleadë, por nuk ndodhi kështu.
Në minutën e 36-të, Joao Pedro befasoi Szczesnyn me një kthesë të shpejtë brenda zonës, duke kthyer baraspeshën në rezultat. Vetëm dy minuta më vonë, Bradaric zgjat këmbën për të ndalur krosin e ulët të Douglas Costas, por fatkeqësisht e devijon topin në rrjetë në shtyllë e parë, duke shënuar autogol. Juventus pati edhe disa raste për shënim ku në një Cristiano Ronaldo desh e theu shtyllën e portës mike. Gjithsesi tre minuta para fundit të kohës së rregullt Cristiano Ronaldo me një kundërsulm model nxori të lirë Cuadrado-n që vulosi rezultatin përfundimtar 3-1.
Interi
Interi nuk di të ndalet në kampionat. Skuadra e Spalletti-t ka marrë dje fitoren e 7-t radhazi pasi ka mposhtur me rezultatin e thellë 5-0 Xhenoan. Festivali i golave nisi në minutën e 15-t, me Galiardinin që përfitoi nga një rrëmujë në zonë për të zhbllokuar shifrat.
Nuk do të vononte shumë goli i dytë, por këtë herë ishte Politano ai që gëzoi tifozët zikaltër. Kaq në pjesën e parë, ndërsa me fillimin e fraksionit të dytë të lojës Galiardini do të shënonte golin e tretë për zikaltërit dhe të dytin personal.
Në fushë duket një Inter madhështor, pavarësisht se Spalletti zbriti me disa ndryshime. Ishte pikërsisht befasia e ndeshjeve të fundit, Joao Mario, ai i cili do shënonte golin e katërt. Pazëlli i fundit i kësaj fitoreje fantastike ishte Naingolan, mesfushori i rikthyer nga dëmtimi. Belgu pas vetëm pak minutash lojë arriti të gjente golin dhe të vuloste shifrat përfundimtare të takimit.