Edhe pse Prokuororia e Katanias shkatërroi pak kohë më parë bandën e rrezikshme të Habilajve, që transportonte tonelata marijuane nga Shqipëria në Siçili, droga dhe shqiptarët vazhdojnë të jenë një binom i rrezikshëm në ishullin në ekstremin jugor të Italisë.

Gjatë një operacioni të fundit anti-drogë në Misterbianco, në provincën e Katanias, policia italiane ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar 31 kile marijuanë dhe rreth 850 gramë kokainë.

Kanë rënë në pranga italiani Agatino Piana, 39 vjeç dhe qytetari shqiptar Vladimir Kapaj, 41 vjeç. Aksioni nisi pas një raportimi, sipas të cilit Agatino Piana, me banim në zonën e Misterbianco-s, kishte marrë të hënën në darkë një ngarkesë droge nga një qytetar me kombësi shqiptare i cili e kishte transportuar me një Opel Vectra me ngjyrë të errët.

Në fakt, gjatë mbrëmjes, hetuesit e pikasën veturën që drejtohej nga një individ, që po ndalej pranë banesës së Piana-s, i cili po e priste në rrugë. Te vetura, në bagazh, policët gjetën dhe sekuestruan tre thasë me marijuanë me peshë 31 kile. Më pas, në banesën e Agatino Piana-s u gjetën rreth 850 gramë kokainë dhe 25 gramë hashash.

Kështu që dy të dyshuarit u arrestuan.

Droga, sipas përllogaritjeve të hetuesve, do të kapte vlerën e 160 mijë eurove në treg.

s.k/Shqiptarja.com