TIRANE-Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se në autostradë po kryhen sërish punime duke sjellë devijimin e trafikut. Sipas ARSSH, sot dhe nesër trafiku në drejtimin Durrës-Tiranë do të orientohet me një kalim si pasojë e vendosjes së ndarëseve në rrugë.
“Në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, tek CityPark dhe Ford për referencë, në kuadër të punimeve të emergjencës të miratuara për këtë segment rrugor, sot po punohet për zëvendësimin e new jersave me guardrela në këto dy pika të saj. Punimet do të realizohen brenda 2 ditëve dhe trafiku në drejtimin Durrës-Tiranë në këto segmente do të orientohet me një kalim. Ndërkohë, janë marrë masat për devijimin e trafikut me sinjalistikën e nevojshme me qëllim orientimin sa më të qartë të qytetarëve” thuhet në njoftim.
Kjo është ndërhyrja e tretë që bëhet në autostradën Tiranë-Durrës brenda pak muajve, pasi në verë u bë riparimi i shtresave asfaltike, në fillim të këtij viti u vendosën tombinat për të shmangur përmbytjet, ndërsa tashmë po vendosen ndarëset.