Këtë të martë janë regjistruar reshje dëbore në lartësitë mbi 1300 metra në qarkun e Korçës, kryesisht në zonat e Dardhës, Voskopojës dhe Vithkuqit. Reshjet, me intensitet të ulët deri në mesatar, kanë krijuar një shtresë dëbore prej rreth 5 centimetrash.
Paralelisht, temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme në të gjithë qarkun, ku në disa zona termometri ka zbritur deri në -1 gradë Celsius, ndërsa vlerat maksimale janë regjistruar deri në 7 gradë.
Rikthimi i reshjeve të dëborës ka ndikuar edhe në shtimin e interesit turistik për juglindjen e vendit. Sipas të dhënave, është vërejtur një rritje e rezervimeve, e nxitur jo vetëm nga kushtet atmosferike dimërore në fshatrat turistikë, por edhe nga periudha e zgjatur e pushimeve për shkak të 4 ditëve zyrtare pushim dhe fundjavës.
Ndërkohë, prenotimet janë rritur edhe në qytetin e Korçës, ku operatorët turistikë raportojnë një numër të lartë rezervimesh, duke reflektuar interesin në rritje të vizitorëve për këtë periudhë.
Komente









